Rama nuk i gënjen dot më grevistët
Thashethemet për marrjen e pushtetit, udhëtimet e Parisit dhe kalendari i ultimatumeve s’po funksionojnë më. Edi Ramës i kanë mbaruar gënjeshtrat dhe tani grevistët dhe socialistët e thjeshtë e kanë kuptuar se kreu i PS është një dështak që s’zgjidh dot asnjë aksion politik. Grevistët e kanë kuptuar më mirë se të tjerët, prandaj prej disa ditësh, në kampingun e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” po duke “hemorragjia e çadrave”, fenomen që sot pritet të shfaqet në shkallë të gjerë
Edi Ramës i përfunduan edhe gënjeshtrat. Në këto kushte, mësohet se, ata që e kanë ndjerë më shumë dhe shpejt këtë mungesë gënjeshtrash, janë “protestuesit” e munguar të mbrëmjes së premte, por edhe të ngujuarit “e mbetur” në çadrën e pretenduar të grevës së urisë. Këtë “ndjeshmëri”, ndërsa të parët e shprehën me injorimin e protestës, të dytët e shprehin nëpërmjet braktisjes së çadrës së ngujimit.
Prej më se dy javësh, Edi Rama nuk reshte së sajuari udhëtime të suksesshme në Paris. Ndërsa para nisjes, e trumbetonte këtë udhëtim si “të rëndësishëm” sepse do të siguronte mbështetje ndërkombëtare, pas kthimit prej andej u mësua, se ai ishte thjesht dhe vetëm për një vizitë private, ku kishte takuar vetëm një grusht personash, me të cilët ka pasur lidhje afektive.
Ato grumbullime turmash rrugëve të vendit, nën pretendimin e bllokimit të tyre për sensibilizim, nuk mjaftuan që Edi Rama të siguronte mbështetjen e shumëdëshiruar, sepse shtrirja e Erion Braçes apo Arta Dades në rrugë, apo kruarja e Pandeli Majkos e Mimi Kodhelit pas policëve, nuk ishin të mjaftueshme që të bindnin as militantin lakuriqo-socialist nga Vreshtasi, se duhet të zhurmonte për “hapje kutish”.
“Kauza”... “kauza”, fjala që fitoi qytetarinë në këto dy javët e fundit, mësohet se jo vetëm që nuk ekziston, por se ka qenë edhe një mashtrim, i cili u denoncua mbrëmjen e së premtes, kur qytetarët braktisën protestën e paralajmëruar 1.3 milionë pjesëmarrësish. Të lodhur me “kauzë për hapje kutish”, që pas të premtes, vetëm për këtë nuk flitet më.
Akrobacitë e Edi Ramës, pas të premtes, për të sajuar “drafte” ndërkombëtarësh, për marrëveshje, duket që edhe mediat që i amplifikuan nuk i besojnë tashmë. Jo pse, as ato nuk kanë pasur “fatin” që të shohin e të lexojnë një “faksimile” të mundshme të këtij drafti, por sepse vetë ndërkombëtarët nuk pohuan ekzistencën e një “drafti” të tillë të mundshëm.
Por ndërsa Edi Ramës i mbarojnë mashtrimet dhe tentativat për të karikuar turmat, turmat e bënë zgjedhjen e tyre që të premten mbrëma, kur injoruan protestën e paralajmëruar të radhës.
Pas të premtes, radha për të bërë zgjedhjen e tyre, u ka ngelur “të mbeturve” të çadrës së ngujimit, të cilët duke mos asimiluar gënjeshtrat e Edi Ramës, kanë nisur arratisjet nga çadra, në formën e një hemorragjie...