Aneta Koleka dhe Koço Kokëdhima, bashkëkryetarët e PS-së që e ndaluan Ramën të ndërpriste ngujimin në çadër
Bashkëkryetarët e Partisë Socialiste, Aneta Koleka, e njohur ndryshe si nëna e Edi Ramës me emrin Aneta Rama, si edhe Koço Kokëdhima, njëri nga sponsorët kryesorë të grevës së pretenduar të urisë, kanë marrë dje vendimin që të vazhdojë greva e urisë, pavarësisht urgjencës së Edvinit për ta ndërprerë atë.
Të mbledhur dje, për herë të fundit për javën që sapo u mbyll, pas dështimit të protestës të së premtes, pas dështimit me përhapjen e thashethemit për “ekzistencën e një drafti ndërkombëtar”, si edhe pas pushimit të lodhshëm të së shtunës, vendosën të bindur, se nuk ka asnjë rrugë tjetër, veçse të vazhdojë ende greva e urisë.
Përballë stepjes së Aneta Kolekës (Rama), se ku do t’i gjejë gjithë ato të holla, për të mbuluar shpenzimet e të ngrënave e të pirave të “të mbeturve”, ka dalë garant Koçoja, i cili ka shprehur gatishmërinë që paratë për riparimin e pusetave nëpër rrugët e ndërtuara prej atij vetë në Tiranë, t’i hidhte në shërbim të grevistëve.
Edi Rama ka shtrembëruar pak buzët në këtë moment, por nuk ka qenë në gjendje të kundërshtojë, e t’i bëjë me dije Koços, se ato të holla janë të tijat, si kryebashkiak, megjithëse gjoksit i binte Koçoja, paçka se ato (të hollat) nuk ishin të atij.
Deri në lëvrimin e të hollave të planifikuara për riparimin e pusetave në kryeqytet, “treshja” drejtuese e PS-së, vendosi të kërkonin e studionin mundësi të tjera për sigurim të hollash, për mbarëvajtjen e të ushqyerit normal të grevistëve “të mbetur” në çadrën e ngritur në segmentin e bulevardit përballë dy kullave në Tiranë.