E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pas takimit me Zaganjorin Jo kandidatures se njeanshme

Kryesocialisti Edi Rama në një deklaratë publike për mediat pas takimit me kandidatin konsensuale të mazhorancës ka shprehur qëndrimin e tij dhe të opozitës se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Zaganjorit si president të Republikës, pasi është një kandidaturë e paraqitur në mënyrë të njëanshme, pa përfshirjen në dialog të të gjitha palëve.
“Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës”- ka deklaruar Rama.

Rama: Nuk mbështesim kandidatin e mazhorancës
Rama apeloi edhe njëherë për një tryezë dialogu të një niveloi më të lartë mes palëve për t’ i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë.
“Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik, dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera”- theksoi Rama.

Zaganjori: Takimi me Ramën në të mirë të procesit
Kandidati konsensual i mazhorancës për president Xhezair Zaganjori është takuar me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama në ambientet e selisë rozë. Pas përfundimit të takimit kandidati i mazhorancës theksoi se takimi mje kreun e opozitës është kërkuar nga vetë ai dhe sipas tij është bërë në funksion të debatit dhe procesit për zgjedhjen e kreut të Shtetit.
“Kemi patur një njohje më njëri-tjetrin nga larg, u njohëm nga afër. I përshkrova arsyet që më kanë shtyrë, për të kandiduar dhe mendova se është në të mirë të debatit dhe procesit. Nuk e pyeta për qëndrimin që do të mbajë dhe nuk ishte ky qëllimi i takimit”- deklaroi kandidati i mazhorancës për president menjëherë pas takimit me kreun e opozitës, i cili zgjati rreth një orë.

Zaganjori takon Idrizin
Menjëherë pas takimit me kryesocialitin Edi Rama, kandidati konsensual i mazhorancës për President të Republikës Xhezair Zganjori, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Në takimin, që u zhvillua në një ndër lokalet e Tiranës, dhe që zgjati për rreth 40 minuta, është biseduar mbi garën presidenciale të kandidatit të mazhorancës për kryetar shtetit. Mësohet se zoti Zaganjori ka diskutuar me kreun e PDIU-së mbi këtë sfidë të politikës shqiptare. Shumica parlamentare, e përbërë nga Partia Demokartike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe PDIU, kanë propozuar zotin Xhezair Zaganjorin për President. Por, opozita nuk e ka pranuar atë, me argumentin se mazhoranca nuk është konsultuar.

Takimi i kandidatit të mazhorancës me kreun e PS-së dhe kreun e PDIU-së vjen një ditë pas përcaktimit të raundit të dytë për presidentin, i cili do të mbahet të hënën në orën 10:00 dhe dy ditë pas konsumimit të raundit të parë të votimit për kreun e Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›