Totozani: Të mbrohen të drejtat e fëmijëve

Avokati i Popullit, Igli Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, është shprehur se duhet të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Këto deklarata Totozani i ka bërë sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Në këtë ditë kujtese dhe apeli për të drejtat e fëmijëve, na takon të gjithëve si zyrtarë dhe si prindër, të jemi më nxitës mbi nevojën e garantimit të të drejtave të fëmijëve për mbrojtje dhe kujdes social, si një nga detyrimet dhe përgjegjësitë parësore për të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të shtetit, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Ndër të tjera në këtë deklaratë thuhet se, institucioni i Avokatit të Popullit vëren se, miratimi i ligjit Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës shënoi një hap të rëndësishëm për mbrojtjen efektive dhe përkujdesni e posaçëm lidhur me të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, por ndërkohë autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të angazhohen për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, me qëllim garantimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve.
Gjatë vitit 2011 Shqipëria ratifikoi gjithashtu Konventën e Këshillit të Evropës, për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve.
Duke parë si të domosdoshëm përmirësimin e mekanizmave të referimit të dhunës ndaj fëmijëve, Avokati i Popullit, thekson se, zbatimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor shqiptar në veçanti legjislacioni penal, ashtu edhe respektimi i akteve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, janë për të gjitha institucionet e shtetit një përgjegjësi dhe detyrim konstant e i përditshëm”. /E.L/