Rama për Rrugën e Arbrit: Surpriza gjeologjie te tuneli i Murrizit, ambicia të përfundojë në pranverë

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë, Edi Rama foli edhe për Rrugën e Arbrit.
Kryeministri deklaroi se Rruga e Arbrit ka mbetur vetëm te tuneli i Murrizit dhe se ambicia është që në pranverë t’i çojë dibranët nga rruga e përfunduar.
“Rruga e Arbrit ka mbetur vetëm te tuneli i Murrizit dhe mos më bëni t’ju jap datë, sepse jam bërë supersticioz me atë tunel. Ai tunel më ka bërë supersticioz me atë gjeologji dhe me ato surpriza gjatë gjithë rrugës, tamam si surprizat që bëjnë dibranët kur ulesh në sofër me ta dhe hedhin e presin fjalën”, tha Rama.
“Po punojmë intensivisht. Ambicia është që pranvera t’i çojë dibranët nga rruga e përfunduar dhe t’i sjell këtej, e po ashtu nga rruga e përfunduar dhe bashkë me dibranët gjithmonë e më shumë vizitorë e turistë në atë zonë të mrekullueshëm të Shqipërisë, por mos më kërkoni datë ju lutem se jam bërë supersticioz për Rrugën e Arbrit”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se “na nxorri picirin gjeologjia e tunelit të Murrizit”.
/r.e/