Fondet për Bujqësinë, Rama: Po adresojmë problematikat e konstatuara nga BE

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Në rubrikën “Sy më sy” kryeministri Edi Rama u është përgjigjur mëngjesin e sotëm pyetjeve dhe komenteve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët.
Një ndër to kishte të bënte me bllokimin e fondeve të IPARD për bujqësinë. Kreu i qeverisë tha se po adresohen problematikat e konstatuara nga BE.
“A nuk qe Europa që akuzoi Ministrinë e Bujqësisë për vjedhje, dhe tani ju lavdëron”, e pyeti qytetari Ramën.
“Të lutem shumë! Të lutem shumë! Aman se nuk e di si mund të kemi një diskutim më normal kur shkojmë në ekstremitete të tilla. Një strukturë e posaçme në Bashkimit Europian që merret me monitorimin dhe me hulumtimin e të gjitha programeve që kanë të bëjnë me financimet e BE për bujqësinë ka konstatuar një sërë problematikash të cilat ne e po i adresojmë. Ndërkohë pikërisht pse Europa është shumë skurpuloze dhe nuk të fal asgjë dhe kur je gabim të thotë se je gabim. Dhe pikërisht pse ata që kur ta thonë gabimin s’ta përtojnë fare të thonë edhe të mirën, sepse nuk ta kursejnë kur duhet ta thonë, janë pika e referimit tonë. Sepse nuk merren me portale, me kanale, nuk merren me këneta, as me vetëkënaqësinë tonë në rast se në një moment ne jemi të vetëkënaqur, por merren me fakte dhe prova”, u shpreh Rama.
/a.f/