E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për investimin në Zvërnec: Do të zbatohet sipas standardeve të BE-së, asgjë për t’u shqetësuar

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se investimi në Zvërnec është ende në proces dhe do të zhvillohet duke respektuar të gjitha rregullat dhe standardet europiane.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen e Irlandës, Thomas Byrne dhe Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama u pyet lidhur investimin e Jared Kushner në Shqipëri dhe qëndrimin e institucioneve europiane.

Kryeministri theksoi se për Shqipërinë ka rëndësi vlerësimi i Komisionit Evropian, duke nënvizuar se ky institucion bazohet në fakte dhe të dhëna të verifikuara.

“Për ne të gjitha zërat në Bruksel janë mjaft të respektueshëm, por ka një fjalë që marrim shumë seriozisht që është zëri i Komisionit. Deri më tani duhet t’ju them se Komisioni është në krye të gjithçkaje duke qenë shumë i mirëinformuar, bazuar në fakte”, u shpreh Rama.

Sipas tij, në një kohë kur informacioni shpesh shoqërohet me debate dhe pretendime të ndryshme, Komisioni Europian mbetet një institucion që punon mbi bazën e të dhënave dhe burimeve të verifikuara.

“Ndaj jam i sigurt që edhe ju, nëse do të kishit interes për fakte, për të dhënat, për burimet e verifikuara, do të kuptonit se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se projekti është ende në fazën e përgatitjes dhe nuk është finalizuar.

“Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund deri më tani, sepse nuk është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave, që nga dita e parë”, deklaroi ai.

Rama theksoi se emrat e përfshirë në një projekt nuk mund të ndikojnë në procesin e vlerësimit dhe se kriteri kryesor mbetet respektimi i standardeve.

“Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar tek e vërteta. Kur them sipas rregullave, ka vetëm një libër rregullash që vlen për ne, libri i rregullave të standardeve të anëtarësimit dhe libri i rregullave të Komisionit Evropian”, u shpreh Kryeministri.

Ai shtoi se çdo zhvillim në Shqipëri duhet të jetë në përputhje me parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“Ideja që Shqipëria do të vazhdojë përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve dhe ateistëve në Shqipëri, që janë standardet dhe parimet e BE-së, është një pretendim pa bazë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, zero”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ambicia është që projekti të jetë një vlerë e shtuar për vendin dhe Europën.

“Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe për Europën. Kjo është ambicia ime. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për veten dhe për Europën dhe sigurisht në proces do të jemi, siç kemi qenë deri tani, shumë rigorozë, duke kërkuar asgjë përpos standardeve më të larta”, përfundoi Rama.

/gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›