E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama përfaqësoi në Prishtinë tezat e Papandreut

16-04-2013 / Gazeta 55

Kreu i PS-së ka folur në Prishtinë për traktat miqësie e mirëkuptimi me Kosovën, njëlloj siç flet politika zyrtare greke e njëlloj siç flisnin dikur komunistët e Tiranës, për “vëllezërit kinezë” e “miqtë nga Kosova”

Ka një arsye të themelore pse Edi Rama nuk pëlqehet në Kosovë. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i konsideron shqiptarët e Kosovës si të huaj, jo shqiptarë, por si rumunë, bullgarë, turq apo grekë, me të cilët mund të lidhet një traktat miqësie.
Edi Rama e tha edhe në Prishtinë se me shqiptarët e Kosovës duhet një traktat miqësie.
“Shqipëria ka një traktat të miqësisë, të bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë me Rumaninë, me Bullgarinë, me Turqinë dhe me Greqinë, por jo me Kosovën. Ne do të punojmë qysh në ditën e parë të qeverisjes sonë bashkë me autoritetet përfaqësuese të Kosovës për të nënshkruar një orë e më parë traktatin e miqësisë, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe sigurisë”, deklaroi Edi Rama në një sallë të Universitetit të Prishtinës në sytë e habitur të të pranishmëve.
Është e pakuptueshme të mendohet sesi dy vende vëllezër të një kombi, një gjuhë dhe një gjaku mund të lidhin një traktat miqësie.
Vetëm Edi Rama mund ta bënte këtë gafë të pashoq.
Ne nuk jemi grekë as serbë që të lidhim një traktat miqësie me Kosovën, por nëse Rama e konsideron veten si grekë dhe i duket vetja si Papandreu mund ta lidhë një traktat miqësie. Grekët lidhin traktate miqësie me ish-armiqtë, ndërsa shqiptarët nuk kanë për të lidhur traktate mes vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe, të një kombi.  
Padyshim në një familje të madhe shqiptarët, pavarësisht se kanë gardhe të ndryshme juridike, bashkëpunojnë dhe jetojnë pa traktate miqësie.
Gafat e Edi Ramës në Prishtinë dëftejnë për karikaturën e dobët kombëtare të tij. Ai shkoi në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, Linda Rama që punon në Prishtinë, dhe në kohën e lirë organizoi një konferencë për mediat që të dukej si një lider që dëgjohet dhe ka ndikim përtej Tiranës dhe Elbasanit.
Sigurisht kjo nevojë publike e Ramës për t’u dukur i pranueshëm për të gjithë shqiptarët kudo që janë sinjalizon një farë shenje inferioriteti që lind nga komplekset e tij. Me këtë mendje që ka dhe fjalë që thotë nëse do të rikthehej në kohë, më saktë në momentin e ngjizjes së tij do kish dëshiruar dhe lobuar të mos ishte me gjak shqiptari. Me pak fantazi mund të ishte një grek i mirë si Jorgos Papandreu, një rumun i mirë si Adrian Nastase apo një bullgar i mirë si Sergei Stanishev.
Ndërkaq ajo që kuptohet me mirë në fjalimin e Ramës në Prishtinë është se nuk  do bashkimin e shqiptarëve, për Kosovën e lirë dhe të pavarur nga zgjedha serbe kërkon veçse një traktat miqësie të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe sigurisë. 
Nuk duhet një traktat miqësie për të bashkëpunuar sepse shqiptarë e Shqipërisë dhe Kosovës po bashkëpunojnë të në të gjitha fushat dhe jo si fqinjë, por si vëllezër. Në fushën  e Sigurisë bashkëpunimi i Forcave të Armatosura dhe FSK-së është në një nga nivelet më të larta pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në institucionet e arsimimit ushtarak të Tiranës ka me qindra oficerë dhe nënoficerë të Kosovës që janë duke u shkolluar me literaturë më të gjerë të NATO-s. Në emergjencat civile FSK-ja ka bashkëpunuar dhe kontribuar në Shkodër, Lezhe dhe aty ku është nevoja. Pra, bashkëpunimi jonë nuk është me ndonjë vend fqinj, por me shqiptarët e Kosovës me të cilët nuk është nevoja të nënshkruajmë një traktat miqësie ashtu siç e bëjmë me Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë apo Turqinë. 
Sidoqoftë gafat e Edi Ramës janë një tregues i karakterit të tij jo patriotik, që zhytet në mitet e kozmopolizimit metropolitan. Në Prishtinë Edi Rama nuk kishte asnjë element bashkimi të kombit, ajo që ra në sy ishte dëshira për të përçarë shqiptarët. Edhe sulmi bajat ndaj kryeministrit Berisha në Prishtinë ishte një spazmë përçarëse tipike e Ramës. 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›