E Diel, 1 Nëntor 2026

I gëzofsh të tetëdhjetat, i dashur Myrteza

16-04-2013 / Nga Eden Babani

Familjarët e Myrteza Bajraktarit: bashkëshortja Kimete, djali Bekim, vajzat Arbana dhe Elira, dhëndri Durim, si edhe Nina, mbesa e vogël njëvjeçare, na mblodhën në një gëzim të përbashkët. Bashkëshorti, babai, vjehrri, gjyshi i familjes, Myrtezai, festonte 80-vjetorin e ditëlindjes. Ishim rreth tridhjetë vetë në atë gëzim, që të gjithë miq të ngushtë dhe bashkëvuajtës të tij. E çuditshme, por fare e vërtetë. Sado që tridhjetë, një shifër e papërfillshme për emigracionin shqiptar të Belgjikës, ku jeton Myrteazai, dhe atë të Zvicrës, ku jetojnë fëmijët e tij, tridhjeta u bë aq e madhe, sa mblodhi shqiptarë nga të katër anët e trojeve tona etnike. Ndonëse simbolikisht, në atë mjedis të restorantit Kolmar në Volue-Shën-Lambert u përfaqësuan Shqipëria e Kosova, viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi e Çamëria. Ngritën gotën e i uruan jetë të gjatë Myrteza Bajraktarit Peja, Suhareka, Gjilani, Tropoja, Kukësi, Shkodra, Mirdita, Kurbini, Tirana, Elbasani, Gostivari, Devolli, Vlora, Gjirokastra, Margëlliçi...
A thua t’i kishte qëmtuar kush me laps në dorë të ftuarit? Jo. As që i pati shkuar ndërmend ndokujt të merrej me hollësi të atilla. As të këtushmëve, as të ardhurve nga Zvicra. Mua më lindi kureshtja e zura të numëroja me gishta, të flisja me vete e të shënoja në bllokun tim sa herë kurbinasi, baca Lekë, tropojani Kolë ose gjirokastriti Luan, ndër më të moshuarit e atij gëzimi, e trokisnin gotën me Myrtezain e me të ftuarit. Habitesha dhe s’u besoja syve. Ç’fat e bashkoi tiranasen Fatbardhë me devolliten Ollgë dhe me vlonjaten Tatianë ta dridhnin vallen popullore aq lehtë, thua se ishin të një krahine, të një fisi? Ritmi i valles apo kënga e elbasanasit Lavdërim? Po Ninën e vogël ç’e bënte të hidhej si shtojzovalle në krahët e mama Elirës, të baba Durimit, të teze Arbanës a të dajë Bekimit? Janë fatet tona të përbashkëta, është gjaku ynë shqiptar, që na afrojnë me njëri-tjetrin, që na kanë mbledhur e na mbledhin gjithherë këtu, në emigracion.
Edhe dhuratat e rastit kishin simbolikën e tyre, do të thosha, atdhetare. S’ më rrihet pa përmendur dy. Ramizi kishte prurë nga Namyri një gravurë të vitit 1878, kushtuar Lidhjes së Prizrenit. Por ajo ishte një e s’mund të ndahej. I takonte Myrtezait. Përkundrazi, Gjoni kishte prurë një shishe raki, zier në Kurbin. Na takonte të gjithëve. Kristal e pastër dhe me aromën e mrekullueshme të vreshtave tona, ajo nuk ishte pije alkoolike, por nepënthë perëndish, për njerëz që i mbledh e mira. Gjë e rrallë në mjediset e Kolmarit, ku vera e kuqe, rozë ose e bardhë, si edhe pijet e tjera freskuese, derdhen me rubinet dhe përfshihen në çmimin e ushqimit. Mirëpo aroma e vreshtave shqiptare e mbushi mjedisin plot e përplot, aq sa tërhoqi nuhatjen e të gjithëve, edhe të Asllanit që i druhet rakisë për shkak të aparaturave dhe të timonit. Dhe çudi... Sërish çudi. Një shishe, vërtet, ama doli e teproi për të gjithë terjaqinjtë. Duhet të gjesh 32 fjalë për rakinë, siç thonë në Mirditë, - ma mblodhi Gjoni, - pa ta administrosh shishen e të fitosh të drejtën që ta shtrydhësh deri në pikën e fundit. I gjeta. Më ndihmoi Myrtezai, Leka, Kola, Duraku, Ismeti nga Vlora, i cili më kujtoi koçimaren... Megjithatë, s’ e shtrydha dot deri në fund, sado që gëzimi rridhte lumë.
Kushtuar tetëdhjetë viteve të një jete në shërbim të  çështjes shqiptare dhe të luftës kundër komunizmit, qysh në rininë e hershme, festa ishte sa e bukur, aq edhe domethënës e simbolike. Por, mbi të gjitha, ajo kaloi përmes emocionesh që zor se thuhen në një artikull gazete. Ato u bënë bashkudhëtare të saj, që në çastet e para, kur Myrtezai tej mase i emocionuar, mezi gjeti forcë të thoshte dy fjalë falënderimi e mirëseardhjeje për të pranishmit. “Unë e disa nga ne e nisëm jetën në kohë lufte, përjetuam diktaturën komuniste dhe s’na e pati marrë mendja se një ditë do të shkelnim të tetëdhjetat, jo më të bashkoheshim kaq miq të mirë në një festë si kjo... Ja pse jam kësisoj i emocionuar.“ Këto janë nga të paktat fjalë të Myrtezait, që munda të regjistroja në tru, ngase miku e bashkëmoshatari im (ç’do të thotë një a dy vjet diferencë, i dashur Myrteza!...) më thithi në emocionet e veta.
Por dielli nuk perëndon aq shpejt për ata që dinë ta jetojnë jetën, sado e shkurtër a e gjatë qoftë. Myrtezai është një ndër ta. Ai pati fatkeqësinë ta pësonte dy herë, pa u penduar asnjëherë. Nuk u pendua në rininë e hershme, më 1953, kur e arrestoi UDB-a jugosllave, në Shkup, si një ndër themeluesit dhe drejtuesit e organizatës “Bashkimi”, që kishte në program Shqipërinë në kufijtë e saj etnikë dhe rezistencën kundër spastrimit etnik të trojeve tona. Nuk u pendua as në moshë të pjekur, më 1970, kur e arrestoi Sigurimi i Shtetit i Enver Hoxhës, ndonëse tashmë kishte krijuar familje dhe ishte bërë me fëmijë. E atillë ishte koha, e absurdit komunist, kur vëllai, duke iu dorëzuar vëllait, binte nga shiu, në breshër. Sepse, për ironi të fatit, të dy burgjet, Idrizovën, në ish Jugosllavi, dhe Spaçin, Ballshin e Skrofotinën, në Shqipëri, i vuajti si shqiptar, si pinjoll i një familjeje atdhetare nga Gostivari. I vuajti sepse e donte Atdheun të lirë dhe sepse, si shqiptar, i besoi besës shqiptare, të degraduar nga komunizmi, të cilin e urrente aq shumë.
I gëzofsh të tetëdhjetat, i dashur Myrteza! Arrifsh edhe përvjetorë të tjerë, si ky, me gjithë ç’të do zemra, me familje, me miq e shokë! 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›