E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrembërimi i qëndrimit të Enverit ndaj Kosovës dhe idealizimi i Nexhmijes

16-04-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Nuk besoj të ketë shtet demokratik në të gjithë zonën euroatlantike që t’i bëjë osanà diktaturës komuniste, si në vendin tonë. Me këtë propagandë nën mantelin e historisë, historiografët tanë nostalgjikë kanë gjetur liri veprimi që të shkruajnë sikur të ishin jo në një shtet pluralist, por në kohën e Enverit. Diktatura u rrëzua, por mbeti mendësia e saj shkatërrimtare. Kulti i Stalinit u rrënua me destalinizimin; por kjo dukuri nuk e përfshiu vendin tonë. Janë rrethana specifike të Shqipërisë së izoluar nga e gjithë bota, që e bënë E. Hoxhën ta shndërronte shtetin tonë  në vendin më mizor stalinist, kur stalinizmi e kishte humbur aureolën e tij në të gjitha vendet e Europës së indoktrinuar, për të folur vetëm për kontinentin tonë. Enver Hoxha  ka qenë gjer në frymëmarrjen e fundit, në prillin e 1985-s, ithtar i Stalinit dhe i kultit të tij. Sepse donte të ruante kultin e tij edhe pas vdekjes, siç është shprehur Nako Spiru në një kritikë të ashpër ndaj diktatorit tonë, në një letër të shkruar në italisht. E. H.-a mundi kështu që ta ruante fronin e tij sundues, gjer në mbarim të jetës, në kohën kur homologët e tij e kishin dorëzuar karrigen e tyre  në të gjitha vendet e Europës lindore dhe në ato të juglindjes, nën diktatin stalinist.
Por përse ai, Enveri, ndonëse i ruajti në piedestal statujat dhe bustet e Stalinit, filloi të reshtet për të folur në vazhdimësí për Stalinin e Madh? Sepse u qartësua menjëherë nga Kardelji, Gjilasi, Dedieri e të tjerë, qëndrimi antishqiptar i Stalinit, që e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe ia dha “për gëlltitje” mareshalit Tito, me kusht që ky të mos i kthente krahët aleancës me Bashkimin Sovjetik, pas kritikave të Informbyrosë internacionaliste. Ky është një tregues elokuent për antipatriotizmin enverist, që pseudohistorianët e tij nuk mund  ta mbajnë dot në këmbë, me paterica. Ndërsa ruajtja e figurës së një antishqiptari si Enveri, me foton e tij të madhe në ambientet e brendshme të ministrisë së Jashtme, fill pas ’97-s, zgjoi revoltën e të gjithë ish-të përndjekurve politikë, thirrjet antienveriste të të cilëve jehonin në të gjitha rrethinat e Lanës për javë e javë, duke rënë në vesh të shurdhër të ministrit të atëhershëm, Milo. U desh autoriteti i zonjës Doris Pak të BE-së, që – më së fundi, - të merrte fund kjo pafytyrësi historike dhe kjo sfidë e paturpshme që i bëhej të gjithë të vuajturve nga zgjedha e rëndë e Enverit dhe e bashkëpunëtores së tij, Nexhmijes. Tani, në rrethana të tilla, më duhet t’i hyj një paradoksi. A e di ai historiani-politikan, të cilit ia kam nxjerrë emrin vetëm në këtë shkrim,  - por edhe bashkësia e historianëve të të dy sistemeve të cilët janë në kor kundër ndërtimit të shtatores së vetme që iu bë Zogut në Tiranë, si personi që konsolidoi shtetin ligjor në Shqipëri se po të mos ishte Ahmet Zogu I, E. H.-a  do të mbetej i pa arsimuar? E kam fjalën se do të mbetej pa arsim të lartë  (qoftë edhe të pjesshëm), për arsyen e thjeshtë se nuk e meritonte bursën në Francë, në bazë të notave passable (kalueshëm), të shumicës së lëndëve. Ku e ku me bashkëstudentë të shkëlqyer si  Selman Riza, me fletë nderi në matematikë, me 22 gjuhë të huaja dhe linguist i niveleve ndërkombëtare, të cilin Enveri, ky njeri human (!) sipas Nexhmijes, e katandisi si ciceron në Muzeun e Beratit. Madjé e poshtëronte në mënyrë meskine, që Selmani të kërkonte autorizim për të konsultuar veprat shkencore në gjuhë të huaja, në Bibliotekën Kombëtare! Më shkurt. A dinë të japin një përgjigje  të pranueshme  ata lakenj të tiranit se është apo jo një paradoks sesi i doli bursa për në Monpelié nga një ministrí e Arsimit rigoroze, si ajo që drejtohej nga Mirash Ivanaj, të cilin Enveri e burgosi për hakmarrje, ndonëse Mirashi u kthye vullnetarisht, pasi ishte arratisur si antifashist, me pushtimin e 7 prillit? Jam i sigurt se këtë shpirtmadhësi të Zogut ndaj Enverit, (dhënien e një burse jashtë shtetit për një student që nuk plotëson kriteret) të gjithë ata që kanë vjellë helm e vrer kundër tij, nuk e dinë. Nëse e dinë, janë jo vetëm pa njohjet historike, por edhe shpirtkazmë!
Përgjigjen e jep Beqir Ajazi, në librin e tij “Kush ishte Enver Hoxha”. Po të duan, le ta lexojnë.
Pra, shqiptarët nuk mund të matufepsen nga këta përdhosës të historisë, që u bënë copë e thërrime për t’i mohuar Ahmet Zogut I një shtatore në bulevardin Zog I. Madje edhe për emërtimin e segmentit të  bulevardit, nga 15-katëshi gjer tek Stacioni i Trenit, shpërthyen në denigrime të pashembullta, paçka se kishin heshtur, kur regjimi i diktaturës e kishte pagëzuar me emrin e Stalinit! Është pak. E kishin brohoritur këtë ngjarje, paçka se Stalini ishte një antishqiptar, siç e thamë. Tani, rrallë dhe jo aq shpesh sa këta historianë të Enverit, na del edhe nusja e djalit të madh të diktatorit, me një nintervistë në të cilën i bën një portret ekzaltues jo vetëm diktatorit, por edhe Nexhmije Hoxhës. Meqë prillin e quajnë si muajin e Enver- Nexhmijes (sepse në prill diktatori i mbylli sytë), Teuta Hoxha shkruan për Nexhmijen se “ka qenë me fat që ka jetuar në një çati me Nexhmijuen, se ajo ajo është një grua e jashtëzakonshme në plot kuptimin e fjalës... dhe në aspektin njerëzor”. A di gjë e intervistuerja sesi është sjellë Nexhmija me  Drita Çomon, me Musine Kokalarin, me gruan e Eqrem Çabejt, me  Ramize Gjebrenë?... A e di se çfarë qëndrimi klasor ka mbajtur ndaj shoqeve të saj, burrat  e të cilave ishin  dënuar padrejtësisht?
Me siguri ajo nuk ka marrë mundimin të lexojë as “Zonjën e Zezë” të Fahri Balliut, një best-seller që i ka kaluar kufijtë e vendit tonë dhe tirazhi tërësor jam i sigurt që as mund të përfytyrohet nga “historiania” Teuta. Kur ajo thotë se ka qenë me fat, nuk ka gënjyer. Vërtet ka qenë me fat se ka gjetur parajsën tokësore (eldoradon) në këtë vend të zvetënuar nga liria për të trallisur ende ndërgjegjen e çoroditur të shumë haxhiografëve të çiftit të kuq. Kjo historiane është e ngazëllyer për librin mbi Ismail Qemalin dhe ka marrë lavdërimet nga Enveri, siç thotë. Por kuptohet ashiqare, se nuk e ka lexuar librin  “Ismail Qemal Vlora- Paraardhësit dhe pasardhësit” të nipit të Plakut të Vlorës, Darlihng Vlorës, që sot është emigrant në Italinë veriore, pranë Liqenit të Komos. Do të bënte mirë ta lexonte. Se do të kuptonte sesi e gjithë farefisnia e I. Qemalit është persekutuar ashpër nga Enveri. Kanë vdekur nëpër sanatoriume, janë çuar në fshatrat ku ha pula gur pjesëtarë të kësaj familjeje të nderuar, me dy diploma universitare dhe me 5-6 gjuhë të huaja, janë çuar të mësojnë analfabetët!  Sa për patriotizmin e E.H.-s  mund të lexonte librin “Namik Luci”, shkencëtarin dhe novatorin kimist që u arratis nga gjurmimet që i bënte UDB-ja, për të rënë nga shiu në breshër. Autorja e këtij libri, bashkëshortja e Namikut, ka shkruar sesi trajtoheshin ata kosovarë patriotë që arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri. Një tmerr që nuk e imagjinon dot zonja Teuta! Thuhet se Kuislingu ka qenë emblema e kolaboracionistit. Por Enveri ia kaloi Kuislingut në kolaboracionin e tij nën rrogoz, kur i dhuroi skeptrin e Sekretarit I të PK-së Shqiptare, shokut Tito. Nëse e quan të pavërtetë këtë, le të gjejë numrin 1 të revistës së Shoqatës Shqipëri- Jugosllavi, ndonëse është hequr nga qarkullimi. Por ajo është historiane dhe mund ta gjejë një ekzemplar!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›