Rama përkujton ditëlindjen e Adem Jasharit

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot komandatin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në përvjetorin e tij të lindjes, që përkon me Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor.
Në 70-vjetorin e lindjes së tij, Kryeministri Rama u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “Jashari lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë vetë flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”.
Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës (Kosovë) dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Ai ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.
/e.i/r.e/