E Diel, 1 Nëntor 2026

BELGJIKË – De Weber: Përdorimi i aseteve ruse rrezikon marrëveshjen e paqes në Ukrainë

BRUKSEL, 28 nëntor /ATSH/ – Kryeministri belg Bart De Wever ka paralajmëruar se plani i Bashkimit Evropian për të përdorur asetet shtetërore ruse të ngrira për financimin e Ukrainës mund të rrezikojë mundësinë e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje për t’i dhënë fund luftës që po zgjat pothuajse katër vjet, sipas Reuters.

Ai e bëri paralajmërimin në një letër drejtuar presidentse së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Mbështetja e Belgjikës është thelbësore, pasi shumica e aseteve që BE-ja synon të vërë në përdorim ndodhen te institucioni financiar belg” Euroclear”.

Në samitin e muajit të kaluar, liderët e BE-së u përpoqën të arrinin konsensus për përdorimin e rreth 140 miliardë eurove të ngrira nga pasuritë ruse si garanci për një hua drejt Kievit, por mungesa e mbështetjes së Belgjikës i bllokoi negociatat.

Në letër, De Wever paralajmëron se “veprimi i nxituar” ndaj kësaj skeme do të kishte si efekt anësor që BE-ja “të pengonte arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje”.

Ai theksoi se Belgjika nuk ka marrë ende ndonjë draft ligjor nga Komisioni për mënyrën e zbatimit të planit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›