Rama po mban peng liberalizimin e vizave
Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, deklaroi dje se shqiptarët kanë përjetuar gjatë viteve të regjimit komunist vetizolimin më të thellë dhe më të egër, të pashoq në të gjithë ish-lindjen komuniste. Sipas tij, ky izolim i tmerrshëm dhe varfëria e skajshme që na la komunizmi prodhuan në fillim të viteve ‘90 një valë të tillë emigrimi të pakrahasueshme për nga përqindja e popullsisë me asnjë vend tjetër të Europës Lindore. “Deklarimet e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe Rezoluta e Parlamentit Europian që kërkon përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptare janë tregues shumë të qartë të vlerësimit dhe vullnetit pozitiv që ekziston ndaj Shqipërisë”, theksoi Bumçi. Përkundrejt këtyre përpjekjeje, vijoi ai, z. Rama ka ndërmarrë një aksion politik të paprecedentë kundër liberalizimit të vizave, kundër kësaj aspirate madhore të të gjithë qytetarëve shqiptarë. “Trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit gjysmëshekullor kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh kundër sigurisë së dokumenteve të identitetit, me qëllim bllokimin e liberalizimit të vizave. Nuk ka gjë më dëshpëruese dhe shqetësuese për interesat e vendit kur shikon se sa poshtë ka rënë, se ku ka degraduar aksioni politik i zotit Rama, duke ka ndërmarrë një sulm të egër kundër procesit të liberalizmit të vizave”, u shpreh Bumçi.
#