Parashikimi, Shqipërinë e presin ditë të vështira
Kur bota konsiderohet tashmë zyrtarisht e dalë nga kriza më e ashpër ekonomike që nga Lufta II Botërore, ekonomia shqiptare mund të mos e ketë kaluar pjesën më të vështirë të saj.
Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, një organizëm i specializuar në analizat ekonomike, parashikon se viti 2010 do të jetë për ekonominë shqiptare më i vështirë se ai që lamë pas. Në një raport të publikuar vetëm tri ditë më parë, i hartuar mbi të dhënat e dy muajve të parë të vitit, Instituti i Vjenës parashikon se gjatë këtij viti ekonomia shqiptare do të ketë një rritje minimale, prej vetëm 1 për qind.
Raporti thotë se viti 2010 do të sjellë në Shqipëri edhe rritje të papunësisë, e cila, sipas projeksioneve, do të arrijë në rreth 15 për qind, një shifër kjo e artikuluar më parë jozyrtarisht edhe nga ekspertë të Bankës Botërore.
Sipas raportit, 2010-a nuk do të jetë një vit i vështirë vetëm për ekonominë shqiptare, pasi situata ekonomike pritet të jetë e zymtë në të gjithë rajonin. Për Bosnjën, Malin e Zi dhe Kroacinë parashikohet që rritja ekonomike në 2010-n të jetë sërish negative në shifrën -1 për qind, ndërsa Maqedonia pritet që këtë vit të jetë në stanjacion, një situatë me rritje ekonomike 0.
Sipas institucioneve ndërkombëtare, vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, e cila përllogaritet në 3 deri në 4 për qind. Por në gjysmën e dytë të vitit dhe dy muajt e parë të 2010-s, një sërë treguesish zyrtarë dëshmojnë se ekonomia ka hyrë në një fazë të fortë ngadalësimi, e cila po reflektohet me rënie të ndjeshme të konsumit, rrudhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe tkurrje të fortë të investimeve private dhe publike.
#