Rama premton mbështetje për komunitetin LGBT: Do e nisim nga emancipimi i shoqërisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti dy drejtuesit e lëvizjes LGBT në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderin.
Ky ishte takimi i parë që kreu i të majtës shqiptare zhvilloi me përfaqësues të komunitetit LGBT.
Në grupet tona sociale dhjetëra pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë pritshmëri të larta ndaj PS, i thanë aktivistët zotit Rama. Ata janë të vëmendshëm për çdo gjë që ju thoni dhe sigurisht do të ishte zhgënjim shumë i madh në rast se ju nuk mbështesni publikisht të drejtat e LGBT si një grupim që jeton ende mes frikës dhe izolimit.
Rama u shpreh që në fillim se ka qenë ndër të parët që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve 90-të, atëherë kur këtu të quanin homoseksual nëse flisje për çështje të tilla.
Kreu i socialistëve u shpjegoi aktivistëve se Shqipëria ka nevojë për një debat emancipues në lidhje me LGBT.
Rama tha se është pro të drejtës së bashkëjetesës, kurse në lidhje me çështjen e martesave mes së njëjtës gjini, pranoi se më parë duhet përgatitur shoqëria dhe duhet përgatitur terreni për të pasur debate të frytshme dhe sidomos informim.
Shoqëria mund të mos jetë asnjëherë gati, por është roli i liderëve që ta ndihmojnë dhe ta përgatisin atë, thanë Karaj dhe Pinderi.
Rama i siguroi aktivistët se brenda dy viteve të para të qeverisjes socialiste, do të ketë një projekt të planifikuar me kujdes dhe maturi për të integruar komunitetin LGBT, për të eliminuar format e diskriminimit, por sidomos për të informuar dhe kulturuar shoqërinë. Ai shtoi se tashmë është e nevojshme që të organizohen sa më shumë aktivitete publike të komunitetit.
Historia Ime