E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton Republika Kasmahun në Lazarat

Edi Rama me Republika Kasmahun-- FotoTelnis Skuqi

Kryetari i PS-së, Edi Rama, duke prezantuar kandidatët e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, mes të cilëve dhe ish-banorja e “Big Brother”, Republika Kasmahu, e cila kandidon për kreun e komunës Lazarat, u bëri apel qytetarëve të Gjirokastrës që në zgjedhjet lokale të majit të votojnë koalicionin e majtë. Sipas tij, Sali Berisha, në takimet elektorale në Gjirokastër, duhet të japë llogari për papunësinë. “Apeli im për të gjithë qytetarët e rrethit të Gjirokastrës është të votojnë pa asnjë ngurrim kandidatët tanë, që janë shprehje e një aleance me qytetarët. Ne nuk ju themi jeni të parët një herë në katër vjet, por i ofrojmë njerëzillëkun çdo ditë. Kur të vijë këtu Saliu do t’ju premtojë turizëm, alpinizëm çiklizëm, rroga, pensione, hardhi, arra, shegë, sepse nuk i ka mbetur asgjë më përveç grahmave të fundit me gënjeshtrat më të mëdha që i ka mendja, por ndërkohë ka shqiptarë që vuajnë drejt papunësinë dhe Kryeministri duhet të përgjigjet pse një milion shqiptarë janë të papunë, ndërkohë që thotë se ka mrekulli ekonomike”, nënvizoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›