E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet unanimisht statuti, s‘ka ndarje postesh

Statuti i ri i Partisë Demokratike mori dje miratimin e të gjithë delegateve, të cilët ishin të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Të 62 nenet e tij, u miratuan në një kohë nga ana e përfaqësuesve demokratë, pa kundërshtime në asnjë nen të tij. Por ashtu siç parashikohej, komisioni i ngritur për të bërë ndryshimet në statut, nuk mori parasysh asnjë nga sugjerimet e bëra nga ana e anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtarit aktual të Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj. Kështu, në këtë statut nuk u vendos parimi "Një anëtar, një votë" sipas projekt-propozimeve të tij. Po kështu, propozimi i Biberajt dhe disa anëtarëve të PD-së për ndarjen e posteve partiake në PD nga ato qeveritare nuk u mor parasysh nga ana e grupit, i cili u mor me ndryshime në statut, grup ky i drejtuar nga nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Sipas Biberajt, ndryshimet në statut u bën në mënyrë të përciptë dhe aty nuk u ndryshua asgjë themelore. "Siç ishte paralajmëruar nga lidershipi nuk ka ndryshime thelbësore, esenciale. Janë bërë disa ndryshime formale lidhur me strukturën për t‘ia përshtatur Kodit të ri Elektoral. Unë mendoj që duhej ndryshuar thelbi i statutit, kryesisht me votimin sipas parimit ‘Një anëtar, një votë‘. Mendoj që ky parim duhej të miratohej dhe të përfshinte të gjithë zgjedhjet në PD, pra zgjedhjet për lidershipin e partisë dhe strukturat e tjera", theksoi Biberaj. Sipas tij, ky kuvend fare mirë mund të quhej kuvendi i vazhdimësisë dhe jo i ndryshimeve të mëdha. Të vetmet ndryshime që parashikohen në statut lidhen me ndryshimet në bazë qarku. Po kështu, parashikohet shkrirja e nëndegëve dhe krijimi i një strukture të re drejtuese në 12 qarqet. Ndryshimi prek dhe logon e partisë, si dhe përcaktimin e statusit të anëtarit, militantit dhe simpatizantit. Këto ndryshime mund të konsiderohen të vogla, lidhur me pritshmëritë e disa përfaqësuesve të tjerë në PD, të cilët ishin të mendimit se ndryshimet kësaj radhe në statutin e partisë më të madhe të mazhorancës, duhet të ishin themelore dhe jo të përcipta.

F.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›