Rama s’del në ekran, se po fsheh gëzimin për bllokimin e statusit
Pas llogores evropiane fshihet kryetari i opozitës, por ai s’del para medias, për të dhënë versionin e tij të dështimit të reformave, për 2011-n. Edi Rama qëndron në klandestinitet, pasi s’e fsheh dot gëzimin për bllokimin e statusit të kandidatit, por edhe parashikimin ogurzi për një izolim afatgjatë, nëse do të përkrahet formacioni politik i uzurpuar prej tij
Gëzimin e madh që ka kapluar Edi Ramën që prej dy ditëve, për shkak të mosmarrjes së Shqipërisë të ftesës për statusin e vendit kandidat për në BE, ai ka zgjedhur ta shijojë i vetëm. Këtë zgjedhje e ka bërë, jo pse është ndonjë kurnac i mundshëm nga natyra, i mësuar nga koha e ish-kryebashkiakllëkut ku “kërraba tërhiqte nga vetja”..., por është i detyruar. Detyrimi i mosdëshiruar rrjedh prej një arsye, jo aq të thjeshtë... Edi Rama nuk do që gëzimin e mosmarrjes së ftesës për statusin e vendit kandidat ta ndajë me të tjerët, sepse (me ndonjë përjashtim të rrallë, qëmund të shkojë deri te Presidenca), nuk është askush që e ka pritur këtë vendim me gëzim. Për pasojë, Edi Rama i detyruar të mos e ndajë këtë gëzim me të tjerët, ka zgjedhur ta fsheh atë (gëzimin). Fshehje më të mirë të kësaj ndjenje të madhe emocionale, nuk ka mundur të gjejë, veç se duke u fshehur vetë dhe duke mos guxuar të dalë publikisht, e të thotë ndonjë fjalë “të mirë” apo “të keqe”, për refuzimin e ftesës për statusin e vendit kandidat për në BE. I harruar pas fshehjes së fshehjes së gëzimit, duke u fshehur edhe vetë, Edi Rama, harroi dje (apo kështu e mendoi), që ti bënte vizitën e kortezisë Dritëro Agollit në 80 vjetorin e ditëlindjes së tij. Jo për gjë, por për 79 vjetorin Edi Rama nuk harroi dhe nuk mungoi me vizitën e tij në shtëpinë e Dritëro Agollit.
...