Ngërçi nuk është hipotekë e opozitës, dhe këtë e kuptojnë edhe veglat e Edvinit
Një ditë pas zhgënjimit europian kryetari i Delegacionit të PE, për Europën Juglindore, Eduart Kukan u shpreh: “Politikanët duhet të kuptojnë përgjegjësinë që kanë ndaj popullit dhe vendit të tyre”. Mirë e tha, po kujt ia tha? Për të dytin vit radhazi, Komisioni Europian në raportin e tij për përparimin e vendit tonë që aspiron të jenë pjesë e BE-së vlerësuan se situata politike, bojkoti i opozitës, ngërçi dhe mungesa e dialogut, nuk mundësuan dhënien e statusit të vendit kandidat. Për Shqipërinë rekomandimet janë bërë pothuajse një vit më parë. Prandaj plotësimi i tyre duhet të kish qenë pjesë e agjendës politike.
Mirëpo në vend dy pjesët kryesore të politikës, pozita dhe opozita, kanë jo vetëm dy agjenda të ndryshme, por edhe të kundërta. Qeveria e kryeministrit Berisha ka bërë maksimumin e mundshëm për pasur një agjendë “normale”, kurse opozita e kryesuar nga agjenda konfliktuale, ç’ka në sytë e të gjithëve është parë “anormale”. Kalendari i qeverisë ka ecur, sipas planit të punës, duke propozuar, amenduar dhe votuar ligje në Komisionin e Ligjeve, që më pas janë çuar në kuvend për të marrë statusin e reformave. Kalendari i opozitës socialiste ka qenë bojkoti, greva e urisë dhe demonstratat e dhunshme, të tipit 21 janar. Prandaj kemi dy agjenda që vështirë se koincidojnë në ndonjë pikë takimi.
Me një paragraf, Komisioni i BE-së kishte kërkuar nga ne, të zbatonim 12 rekomandime, ku pjesa më madhe ishin reformat integruese, pra ligje të cilat i hapnin rrugën statusit. Këto reforma legjislative ishin të përgatitura dhe disa prej tyre të votuara unanimisht në Komisionin e Ligjeve, ç’ka në fakt janë futur në sistematikisht rendet ditës së Parlamentit. Megjithëse në mënyrë po aq robotike, opozita socialiste refuzoi të marrë pjesë në votim. Refuzimi i votimit të ligjeve me shumicë të cilësuar, me 3/5 e votave të parlamentit, nga ana e opozitës është faktor përcaktues të bllokimit të integrimit Europian. Me fjalët e progres-raportit: “Ngërçi politik ka penguar arritjen e një konsensusi për të bërë të mundur zbatimin e reformave përkatëse të Bashkimit Europian. Bojkoti i pjesshëm i opozitës e ka penguar Kuvendin. Në këtë drejtim, dhënia fund e bojkotit të opozitës dhe kthimi i tyre në parlamentare, është një hap pozitiv drejt normalizimin e dialogut politik”.
Ç’ka kuptojmë nga progres-raporti? Kuptojmë që të kërkosh tek kryeministri Berisha fajin është një dritëshkurtësi dhe tifozllëk politik. Rama nëse do të kish lejuar deputetët socialistë të votonin ligjet (që edhe i kishin miratuar në komisionin e ligjeve, për shembull: Kodi Rrugor) që kërkonin 3/5, kishte të drejte të thoshte “fajin e ka Saliu”, por refuzon të lejojë të votojnë këto ligje që janë vetëm “teknike” dhe nuk kanë të bëjnë me 10 pikat e propozuara prej tij. Gjithashtu Raporti e thotë qartë e shkoqur që qeveria ka punuar mirë dhe ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj, megjithëse, në këtë proces nuk është vetëm qeveria (si në rastin e liberalizimit të vizave) por edhe opozita që u rikthye në parlament, pas një bojkoti të gjatë dhe të lodhshëm.
Së dyti qeveria ka interes të ethshëm të marrë statusin e vendit kandidat që ta përdorë për fushatë elektorale si sukses. Kështu që nuk mund të akuzohet qeveria për këtë refuzim të dytë. Së treti, është vetë opozita e bashkuar që po pengon këtë proces. I kooptuari i PS-së Erion Veliaj e tha hapur tek gazeta e Koços: “Pa u bërë Rama Kryeministër nuk ka status kandidat!”.
Sidoqoftë jo gjithçka është e humbur. Komisionari për Zgjerimin Stefan Fule ftoi politikën të bashkëpunojë sepse gjithçka është e mundur: “Nëse Shqipëria bën progres duke dalë nga ngërçi politik gjë për të cilën kanë filluar të duken shenjat e para, nuk ka nevojë të pritet një vit i plotë dhe Shqipërisë mund t’i jepet statusi pa u pritur raporti i radhës”. Është shumë e qartë procedura që duhet ndjekur për të kapur trenin tjetër: të votojë edhe opozita ligjet me 3/5 dhe nëse vendi nuk e merr përsëri statusin, atëherë Qeveria mban përgjegjësi.