E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Është rritur prostitucioni brenda vendit

 

TIRANË- Rritja e efektivitetit të Prokurorisë në punën e saj gjatë vitit 2007 nuk ka mundur që të frenojë rritjen e kriminalitetit në vend, sidomos atë në fushën e narkotikëve dhe prostitucionit. Kështu, kryeprokurorja Ina Rama në materialin e saj informon Kuvendin se gjatë vitit të shkuar, krahasuar me vitin 2006, ka një rritje të nivelit të kriminalitetit në masën e 11 përqindëve. Veprat penale të kryera gjatë kësaj kohe klasifikohen në vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, që zënë dhe masën kryesore të rasteve duke shënuar një rritje në masën e 10 përqindëve. Vepra penale kundër autoritetit të shtetit zënë rreth 27 për qind të rasteve dhe shënojnë një rritje në masën e 21 përqindëve. Pozitive për vitin 2007, është fakti se krimi kundër personit ka pësuar një rënie ne masën e 5 përqindëve. Më konkretisht, në ndjekjen penale të veprimtarisë së krimit të organizuar, të kriminalitetit në fushën e narkotikëve, të prostitucionit, të trafiqeve të paligjshme dhe të korrupsionit evidentohen se janë ndjekur penalisht 1800 raste, me 1418 të pandehur. Prokuroria evidenton faktin se ndërsa rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të fëmijëve kanë një rënie të ndjeshme, shqetësues mbeten të dhënat përsa i përket trafikimit të femrave për prostitucion dhe shfrytëzimin e prostitucionit në rrethana renduese. Kështu, gjatë vitit të shkuar janë shënuar 116 procedime për prostitucion, shfrytëzim prostitucioni dhe mbajtje të lokaleve për prostitucion. Këto tregues krahasues evidentojnë nga njëra anë tendencën në ulje të trafikut të qenieve njerëzore dhe, nga ana tjetër, tendencën në rritje të fenomenit të prostitucionit dhe të shfrytëzimit të tij brenda vendit. Ndërkohë për veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe kultivimit, të prodhimit dhe të shitjes së tyre janë ndjekur 691 raste. Një rritje të ndjeshme kanë pësuar rastet e penale në fushën e korrupsionit dhe që lidhen me veprimtarinë e kundraligjshme të punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik. Për këtë akuzë janë ndjekur penalisht 633 procedime me 385 të pandehur, ose krahasuar me vitin 2006 ka pësuar një rritje në masën e 5 përqindëve. Ndërkohë për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera janë ndjekur penalisht 19 raste me 17 të pandehur, çka shënon një rritje me 46 për qind. Vlen të përmenden këtu rasti i Zëvendësministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Transporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›