Mocioni ndaj Topallit çan mazhorancën, Ndoka e Mustafaj kundër Berishës
TIRANË- Mocioni i partisë më të madhe opozitare kundrejt Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nxjerrë në pah një të vërtetë të madhe, se mazhoranca nuk është unike ndaj qëndrimit që duhet mbajtur. Një ditë pas deklaratës se kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ku i kërkonte Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të konsultohej me Kuvendin për dekretet, kanë reaguar me tone kritike drejtues të partive të djathta, por edhe deputetë. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje se Kryetarja e Kuvendit nuk ka përfillur ligjet dhe i është imponuar Kuvendit me qëndrimet e saj. “Nuk është hera e parë që ajo e identifikon veten me Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që ajo është vetëm një spikere e administrimit dhe punimeve të Kuvendit. Funksionet e saj, janë të përcaktuara qartë në Rregulloren e Funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe në raste të tjera, zonja Topalli ka pasur shenja se pa përfillur ligjin dhe rregullat e shkruara, është përpjekur t’i imponohet Kuvendit dhe institucioneve të pavarura kushtetuese”,- tha Ndoka. Kryetari i PDK-së tha se Topalli ngatërron ende pozicionin e saj institucional, me atë të nënkryetares së Kuvendit. “Topalli ngatërron qenien e saj si nënkryetare e PD-së, me një spikere të Parlamentit. Kompetencat e saj, janë të përcaktuara qartë, madje të kufizuara. Mund të them që, për maxhorancën, është një kosto jashtëzakonisht e madhe zonja Topalli. Një dorëheqje e saj, besoj se do ta lehtësonte PD-në”,- tha ai. Ndoka shtoi se nuk është Kryetarja e Kuvendit ajo që vendos për dekretet e Presidentit, por vetë Kuvendi. “Duke bllokuar kalimin e dekreteve të Presidentit për shqyrtim në Parlament, kryetarja e Kuvendit, me dashje apo pa dashje, është ngritur mbi ligjin bazë kushtetues, duke marrë për vete atribute që nuk janë të justifikuara në asnjë ligj”,- tha ai. Po dje, Ndoka ka mbështetur edhe qëndrimin e Ambasadorit amerikan Xhon Withers, për të cilin kryetari i PDK-së, garantoi se do të ketë mbështetjen politike dhe parlamentare të partisë që ai drejton. E ndërsa kryetari i PDK-së është përqendruar kryesisht në lëvizjet e fundit të Topallit, deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj është prononcuar për politikanin që fshihet direkt pas këtij konflikti, kryeministrin Sali Berisha. “Berisha, si kryetar i mazhorancës e ka ditur me kohë se kur skadonte afati i këtyre gjyqtarëve dhe se kur fillonte procesi i përzgjedhjes së tyre. Dhe Berisha duhet ta kuptojë qartë, tashmë, se Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së”,- tha Mustafaj. Ndërsa deputeti Spartak Ngjela shkon edhe më tej në argumentimin e tij kundër lëvizjes së fundit të mazhorancës. Për avokat Spartak Ngjelën, kjo lëvizje nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kryeministrit Berisha për të shtënë në dorë edhe Gjykatën e Lartë, duke paralajmëruar së pikërisht këtu do të mbërrije edhe çështja e Fatmir Mediut.
Nard Ndoka
“Topalli ngatërron qenien e saj si nënkryetare e PD-së, me një spikere të Parlamentit. Kompetencat e saj janë të përcaktuara qartë, madje të kufizuara. Mund të them që, për maxhorancën, është një kosto jashtëzakonisht e madhe zonja Topalli. Një dorëheqje e saj, besoj se do ta lehtësonte PD-në”.
Besnik Mustafaj
“Berisha, si kryetar i mazhorancës e ka ditur me kohë se kur skadonte afati i këtyre gjyqtarëve dhe se kur fillonte procesi i përzgjedhjes së tyre. Dhe Berisha duhet ta kuptojë qartë, tashmë, se Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së”.