E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati i peshëngritjes, shpallen fituesit e rinj

 

Përfundoi sot kampionati kombëtar i peshëngritjes, me kurorëzimin e kampionëve të rinj të Shqipërisë. Kampionati për moshat e reja deri në 17 vjeç, është zhvilluar në qytetin e Korçës, në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”. Ndër 98 sportistë garues, 6 ishin femra dhe në këtë aktivitet të rëndësishëm kombëtar u paraqitën 12 klube sportive nga e gjithë republika, në gara shkëputëse dhe shtytëse.

Në garat për femra në peshën 58 kilogramë u shpall fituese peshëngritësja Sheriana Ruçi e klubit të “Partizanit”. Ndërsa në peshën 63 kilogramë u kurorëzua fituese Blerina Rusi e mjeshtërisë Durrës, dhe për peshën 69 kilogramë, titullin kampin e mori Manjola Karaj po nga klubi i “Partizanit”. Ndër të gjitha ekipet pjesëmarrëse fituese e kupës për femra u shpall ekipi i kryeqytetit dhe peshëngritesja e tij Sheriana Ruçi, e cila u vlerësua edhe si sportistja më e mirë.

Për sa u përket meshkujve, u shpall fitues ekipi i “Tomorrit” ndërsa sportisti më i mirë u cilësua Daniel Godelli, nga qyteti i Peqinit në peshën 62 kilogramë. Ndërkohë që nga ky kampionat, do të përzgjidhen edhe sportistët e kombëtares që do të përfaqësojnë në kampionatin evropian të peshëngritjes, Shqipërinë, i cili do të mbahet në korrik në Francë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›