Topalli, letër Ramës: Na jep dokumentet për Shtabin
TIRANË- Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e kryetares së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve i kërkoi dje përmes një shkrese zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme dokumente të tjera shtesë, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu për ngjarjen e Gërdecit, duke zvarritur pa afat çështjen në fjalë. Topalli thekson se, "dosja juaj (prokurorisë) për heqjen e imunitetit të z.Mediu, pa përjashtim nga të gjithë deputetët, të maxhorancës e opozitës, anëtarë të Këshillit të Rregullores u konsiderua e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës tuaj. Në mënyrë të veçantë, jo i bazuar, është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura". Topalli vijon më tej në shkresën e saj se, "z.Mediu ka deklaruar para Këshillit se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë është e miratuar dhe e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjithë niveleve, sipas detyrës. Është në detyrën tuaj, t’i paraqitni Parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet". Kryetarja e Kuvendit shprehet se, për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, Prokuroria e Përgjithshme duhet të sjellë çdo dokument që të faktojë, sipas saj, se ku është shmangur autoriteti ushtarak. “Kjo, sepse në përzgjedhjen e vendit, në transportin e qindra tonë predhave në ditë, të të gjithë kalibrave, me vizitat në vendngjarje, në ruajtjen e vendit, e deri në dërgimin e fadromave e kontenierëve, dokumente të bëra publike në media provojnë se, në këtë çështje janë përfshirë, kanë pasur dijeni, kanë firmosur në të gjitha dokumentet që përbëjnë bazën e procesit që solli atë katastrofë, autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve të vendit",- thuhet në kërkesën drejtuar Prokurorisë. Madje, Topalli ka shkuar më tej, duke përcaktuar edhe dokumentet që duhet të dërgojë Ina Rama, si; praktikën shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, detyrat që ka lënë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, Nr.550, datë 25.4.2007, shkresa Nr.7395, datë 17.9.2007 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj, memo e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, memo e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm etj. Megjithatë, përpos kërkesës së Topallit, burime nga Shtabi i Përgjithshëm thanë dje për gazetën se informacionet e kërkuara nga Topalli kundrejt kryetares së organit të akuzës, Ina Rama, nuk janë gjë tjetër veçse letërkëmbime të brendshme që nuk janë të lidhura me thelbin e çështjes së hetimit.