Rama s’ka lidhje me Shtetin
Nga ftesat për shkatërrimin e administratës e deri tek ideologjia e shkatërrimit të çfarëdolloj investimi të huaj, Edi Rama po tregon përditë se s’ka asnjë lidhje me shtetin. Ideja e një auditimi ndërkombëtar mbetet kulmi i një sjelljeje skandaloze ndaj institucioneve shtetërore, por duket se duhet të presim thagma të tjera, pasi shtypit ndërkombëtar, Edvini i ka deklaruar se në zyrën e qeverisë s’do sillet si shtetar, por si artist
Edi Rama u detyrua të korrigjojë ftesën e tij zyrtare për punësim duke thënë se, “apeli publik është bërë si kryeministër i zgjedhur dhe jo si kryetar partie”. Në të vërtetë, Edi Rama ftesën publike për thithjen e CV-ve e ka bërë si kryetar i Partisë Socialiste përderisa ftesa është bërë me logon e PS dhe ndodhet në faqen zyrtare të Partisë Socialiste. Por edhe sikur ta bënte si kryeministër i ardhshëm do të ishte një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe ligjeve të Shtetit.
Në fakt, kushtetuta dhe ligjet e rëndësishme i njohin kryeministrit të vendit të drejtën e emërimit të disa zyrtarëve të lartë të shtetit sipas propozimit që vjen nga ministria apo agjencia përkatëse. Vetë kryeministri nuk mund të mbledhë CV-të, të gjykojë apo vlerësojë mbi bazën e tyre. Kryeministri i ardhshëm Edi Rama duhet të lexojë një herë ligjet dhe të kuptojë se aplikimet për punësim bëhen sipas një procedure publike, dhe jo sipas kritereve për anëtarësim në Partinë Socialiste. Aq më shumë akoma këtë gjë nuk mund ta bëjë një parti e caktuar pasi shprehimisht është e ndaluar. Nëpunësit e administratës shtetërore të niveleve specialist, përgjegjës sektori, drejtor, drejtor i përgjithshëm dhe sekretar i përgjithshëm i nënshtrohen konkurrimit të organizuar nga Departamenti i Administratës Publike, në bazë të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, i ndryshuar, (ligj i cili do të ndryshojë me hyrjen e ligjit të ri që u votua në kuadër të “tre ligjeve” të famshme) organizon konkurset e nëpunësve.
Pra, kësisoj as ligji aktual dhe as ligji ri me standard europiane që do të hyjë në fuqi së shpejti nuk e parashikojnë një procedurë të tillë të punësimit të administratës publike. Ata që duhet të punësohen nuk duhet t’i drejtohen as Kryeministri Edi Rama dhe aq më pak kryetarit të PS-së, Edvin Rama. Do të duhet të kishte një reagim të komisionerit për të dhënat private për të parë anën ligjore të kësaj sipërmarrje jo ligjore të dërgimit të CV-ve në adresën e Partisë Socialiste. Nga ana juridike dhe ligjore ka shkelje për të cilën organet kompetente duhet të nisin menjëherë një hetim për tentativë të krijimit të strukturave shtetërore paralele, diskriminim për arsye të bindjeve politike si dhe tentativë për të poseduar informacione mbi individët.
Megjithatë Edi Rama duhet të kuptojë se ka ikur koha kur në komitetet e PPSH-së apo komitetet ekzekutive të këshillave popullore të rretheve vlerësohej në plan të parë biografia e personit, qëndrimi i familjes gjatë luftës, meritat në ndërtimin e socializmit, ashpërsia në goditjen e armikut të klasës etj. Në një farë mënyre kriteri për të punuar në administratë është verifikimi i përkatësisë së fushatës së Rilindjes dhe për këtë gjë është menduar ndryshim strukturor i ministrive.
Edi Rama kërkon të manipulojë opinionin publik për qëllimet me standard për punësimin, por në të vërtetë është synimi për të spastruar administratë që solli anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave me një tufë militantësh që kanë shërbyer në fushatë. Më e çuditshme është se Edi Rama po provon edhe më shumë pse nuk i donte tre ligjet e integrimit, ku ai i nëpunësit civil ishte pjesë e tyre.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama po dëshmon se nuk ka lidhje fare me shtetin. Këto ngjarje me CV në adresën zyrtare të PS ndodhin për faktin se, Edi Rama, nuk ka punuar normalisht një ditë të jetës së tij dhe nuk ka një librezë pune. Përveç punës së piktorit në Akademi, Edi Rama nuk ka ndonjë përvojë pune administrate. Edi Rama u bë ministër i Kulturës duke qenë një piktor bohem në Francë. Dhe nga ministër i MTKRS u bë kryetar i Bashkisë Tiranë për 11 vite dhe njëkohësisht ishte kryetar i Partisë Socialiste, pra, praktikisht ka dhënë urdhra të tjerëve të bëjnë punën. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera” Edi Rama deklaroi se do të qeveriste si një artist dhe padyshim po e fillon ashtu.