Biznesi kërkon nga Rama borxhet e qeverisë së Berishës. Braçe: Memecëve u erdhi goja
Biznesi kërkon nga ana e qeverisë së ardhshme shlyerjen e borxheve. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ka thënë se qeveria u ka 220 milionë euro borxhe sipërmarrësve dhe ka thënë se këto para duhen kthyer.
Qeveria Rama të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private.
Rritja është thelluar, gjatë dy muajve shkon nga 8 në 10 për qind; mund të shkojë 220-215 milionë euro një detyrim i cili parashikohet që mund të jetë ndaj sipërmarrjes për vepra publike dhe shërbime, pa futur shifrat e kompensimit tatim-fitim, TVSH-ja apo taksa të tjera që qeveria është e detyruar të likuidojë ndaj biznesit, tha Jaka për TCH.
Por, pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas tij, deri më tani Jaka dhe biznesmenët kanë heshtur për borxhet, madje e kanë mohuar se qeveria u ka pasur borxhe.
E mbani mend shefin e Dhomës se Tregtisë së Tiranës? Quhet Nikolin Jaka. E keni dëgjuar ndonjëherë ti thotë Sali Berishës ndryshe nga kryeministër? Tani i thotë kryeministrit të ri, thjesht Rama.
Jo vetëm kaq. Por tani kërkon me tërsëllëmë dhe paratë që Berisha ua mori borxh. E keni dëgjuar ndonjëherë të kërkojë pagimin e parave të papaguara nga qeveria e Sali Berishës? Kurrë! Nuk guxonte as ta mendonte. Kurrë nuk e dëgjova një herë të vetme në takimet e Berishës të kërkonte paratë.
Por, tani i ka ardhur goja dhe kërkon edhe afate për kthimin e parave. Dy vite me radhë harxhova për tju kërkuar këtyre të dhëna për paratë që qeveria e Sali Berishës ju kishte pa paguar. Jooooo, sna ka borxh-thoshin. Ndërkohë, me paratë e tyre paguanin punët elektorale të Sali Berishës. Ja këta janë. PS bëri tu vijë goja, shprehet deputeti socialist./b.l