E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka: Votoj për qeverinë e majtë sepse jam fleksibël. Ishte pozitiv fakti që PD humbi në Shkodër

nardiKreu i demokristianëve, Nard Ndoka, që u zgjodh deputet nga listat e PD-së, ka deklaruar se do të votojë pro qeverisë socialiste, nëse këta të fundit i japin një post ministror.

Nëse ka një demokristian si ministër, do ta votëbesoj qeverinë e re, ka thënë Ndoka gjatë një emisioni për A1 Report.

Ndoka ka qenë bashkë me mazhorancën e re për një kohë të gjatë në opozitë, por ai u rikthye me Berishën disa muaj para zgjedhjeve, duke qenë se ai i premtoi mandatin e deputetit.

Shenja për largimin nga opozita kanë dhënë edhe deputetët e PDIU, duke bërë kështu që opozita e nësërme të jetë ndër më të dobëtat në numra e parlamentit shqiptar gjatë viteve të demokracisë.

Por në një intervistë të mëvonshme për News24, Ndoka tha se do të votojë nëse në qeverinë e majtë futet Mark Frroku i kristiandemokratëve.

Po punojnë për bashkimin e partive kristiane. Kemi pasur kontakte dhe me partinë e Mark Frrokut, nëse PS do i qëndrojë marrëveshjes me kristiandemokratët. Unë nuk do votoj qeverinë, por do votoj Mark Frokun, tha Ndoka.

I pyetur nëse do i bashkojë votat për hir të numrave me mazhorancën e re socialiste, për qëllim të reformave, Ndoka theksoi se ai do të qëndrojë opozitar, por vota e tij do jetë fleksibël.

Së pari është me rëndësi që të ketë klimë bashkëpunimi përtej numrave. Të ketë bashkëpunim mazhorancë opozitë. Unë nuk e preferoj një gjë të tillë. Nuk do kemi të tilla precedentë. Pasi opozita e sotme do jetë ndryshe nga PS që ka bërë opozitë problematike. Nëse nuk do këtë bashkëpunim, kjo mazhorancë do i shkurtojë ditët e saj. Edhe vete PS duhet të jetë me e hapur. Roli im do jetë opozita, por do dëshiroja të kemi qeverisje sa më të mirë, qëndrimet e mia do jetë fleksibël, por jo pazare politike, theksoi Ndoka.

Ndoka e vlerësoi si pozitiv faktin që PD humbi në Shkodër, pasi siç tha ai do mbetej një ishull i izoluar. Por, gjithashtu ai hodhi akuza për vjedhje dhe manipulim votash duke anashkaluar përgjegjësinë nga vetja apo ekipi drejtuesi i PD-së në qytetin verior.

E para nëse flasim për fenomenin do e konsideroja pozitiv që dhe Shkodra të mos mbetej si ishull i vetmuar. Kjo me rëndësi për faktin se Shkodra i ka paraprirë zhvillimeve në çdo rast. Kjo është civilizim i elektoratit. Në Shkodër nuk pati frymë opozitare. Ekipi i Partisë Socialiste nuk bëri ndryshim, por devijimi i votës dhe vlera e votës e tjetër çuan përfaqësimin në qarkun e Shkodrës. Për këtë ka prova të mjaftueshme, madje policia ka kapur në procesin e blerjes ë votave. Informacione nga shërbimet sekrete ka pasur. Por, nuk u ndërhy që të mos merrej si formë presioni ndaj partive të veçanta, u shpreh Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›