E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Takim me pedagogët, Berisha: Arsimi prioritet, heqim mesataren

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH / Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot në selinë e PD-së një takim me një grup pedagogësh.

Berisha e vuri theksin te liria akademike dhe tentativa, sipas tij, e qeverisë për të asgjësuar autonominë e universiteteve.

“Solli ligjin për të shpallur veten e tij kryetar të shkencës. Por kjo dëshmon se çfarë vullneti patologjik ka ky për të asgjësuar autonominë e universiteteve, lirinë akademike, pa të cilat universitetet përthahen nga viti në vit”, tha ai.

Sipas Berishës, “të atakuarit e lirisë akademike me një buxhet për shkencën që është 1 e 57-a e mesatares së vendeve të OSBE, jo të OECD, se nëse e llogarit me OECD do ishte 1 e 500-ta, do të thotë të bësh gjithçka për t’i falur, për t’i degraduar universitetet dhe trupën akademike të tyre”.

Ai tha se PD do ta konsiderojë arsimin si çështjen më serioze të kombit, ndërsa prioritet do të jenë mësuesi dhe pedagogu.

“Nuk ka diskutim për t’i dhënë përgjigje studentëve se do të konsiderojmë arsimin çështjen më serioze të kombit. E ka përcaktuar Zhan Zhak Ruso me vërtetësinë më të madhe.
Në këtë kontekst ne do marrim masa për rikthimin në shina normale. Atyre që kujtojnë atë kohë, ne nuk arritëm nivelet që donim, por ama arritëm rritje vertikale në testin e PISA-s.

Dhe pasi ikën ato vitet, 8 vitet e tyre shënuan rënien më të madhe në botë. Përsëri e them këtu, ne do përqendrohemi më së pari tek mësuesi dhe pedagogu. Investimi për arsimin do ketë parësor investimin tek mësuesi dhe pedagogu, vendosjen e personalitetit të tyre në piedestalin që meritojnë”, tha Berisha.

“Në vitin 2013, mësuesin e vendosëm mbi mesataren në piramidën e rrogës. Nuk i shkonte mendja kujt se 12 vite rrogat do ngriheshin njëlloj si në socializëm. Në socializëm rrogat nuk lëviznin. Edhe ky, me ato mendësitë e vjetra të të atit, i ngriu rrogat në mënyrën më kriminale dhe ne përfunduam nga në krye të pagave të rajonit, në fund”, tha Berisha.

“E shfrytëzoj këtë rast të ftoj pedagogët e universiteteve, të mos harrojnë një moment, sëmundja më e keqe e intelektualit është konfirmizmi. Albert Ajnshtajni thotë diku, konformizmi ka fuqi shkatërrimtare më të madhe se bomba nukleare. Në kuptimin figurativ.
Ndaj dhe ne, duhet që së bashku me studentët, të bëjmë gjithçka për t’i dalë kundër këtij regjimi”, tha Berisha.

“Ndaj dhe, duke u garantuar ju se programin e arsimit të lartë, do e hartoni ju me ekspertizën më të mirë, dhe se qeveria e PD do bëjë gjithçka për zbatimin e saj, rikthimin e universiteteve në qendra të fuqishme kërkimore dhe shkencore, heqjen e diskriminimit, ndëshkimit në pranimet universitare me të ashtuquajturën mesatare”, shtoi Berisha.

“U ndëshkuan të gjitha zonat e varfra të vendit, kjo merr fund. Nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e në vazhdim, vendet e lira i kanë të hapura dyert e universiteteve për fëmijët e tyre. Kjo është e vërteta.

Po të shkosh të marrësh të gjithë gjimnazet periferike, e kanë nën 6.5 mesataren. E privon arsimin nga njëri nga funksionet bazë që është edhe lufta kundër varfërisë. E privon nga funksion, midis të tjerash”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, ndaj këto kohë që kanë mbetur, le të jenë kohë beteje për të vërtetat që ne besojmë. Betejë për t’u dhënë shqiptarëve sistemin arsimor më cilësor të mundshëm në kushtet e këtij vendi.E njëjta gjë për shëndetësinë, por sot jemi te arsimi. Ndaj dhe i ftoj edhe gjimnazistët, të mos harrojnë se në vitin e ri universitar, pa mesataren e partisë. Të hapura dyert. Dhe jo vetëm kaq, po minimumi jetik do aplikohet për çdo student, 200 euro.
Karta e studentit do të pasurohet me një seri lehtësirash të tjera”, përfundoi Berisha.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›