Rama takim me Thaçin e Ahmetin: Opozita do intensifikojë rolin e saj në rajon
Kreu i opozitës Edi Rama e ka konsideruar vizitën e tij zyrtare në Maqedoni- një vizitë që vjen fill pas vizitës në Kosovë- si një urë komunikimi mes opozitës shqiptarëve me shqiptarët e rajonit. Ai promovoi librin e tij Kurban në një ambient me intelektualë e qytetarë të Shkupit, por dhe u takua me krerë të partive shqiptare në Shkup, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi. Gjatë promovimit të librit, i cili u prezantua nga shkrimtari i njohur Ali Aliu, u theksua nevoja për komunikim intensiv të opozitës me faktorin shqiptar në të gjithë viset e rajonit ku jetojnë shqiptarët: Ka ardhur momenti që opozita në Shqipëri të jetë më aktive në politikën rajonale dhe në komunikimin me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare. Për shkak se është e nevojshme që Shqipëria ta intensifikojë praninë dhe rolin e vet në komunikim me shqiptarët dhe qeveria nuk e bën dot plotësisht këtë detyrë edhe sikur të ishte një qeveri e mirë, pa mbështetjen edhe të të tjerëve e jo më kur qeveria pastaj nuk është edhe aq e mirë, tha Rama.
Menduh Thaçi: Librin tuaj do e lexoj, sjam nga ata që slexojnë libra
Kryetari i PS Edi Rama është takuar sot në Shkup me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili i premtoi që do e lexonte librin e marrë me autograf nga kryesocialisti. Kryetari i PS, Edi Rama, u shpreh se në takimin me Kreun e PDSH kanë biseduar për situatën politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni. Rama tha se eksperienca opozitare është e ngjashme në të dy vendet: Shkëmbyem mendime mbi eksperiencën opozitare e cila është e ngjashme në të dy vendet. Në këtë kuadër lideri i opozitës nënvizoi: Është domosdoshmëri rritja e hapësirës demokratike. Kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, u shpreh Dy partitë tona janë nga më të vjetrat në Shqipëri dhe Maqedoni, u shpreh Thaçi duke nënvizuar se këto kontakte janë të natyrshme. Rama dhe Thaçi kanë shkëmbyer me njëri- tjetrin librat e tyre. Duke marrë librin Kurban Menduh Thaçi pas falenderimit, u shpreh se do ta lexojë librin me interes të veçantë. Kënaqësi që marr nga vetë Edi Rama librin Kurban. Garantoj se do ta lexoj librin pasi nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat, është shprehur kreu i PDSH-së.
Takimi me Ali Ahmetin
Rama u takua sot edhe me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin gjithashtu kanë shkëmbyer librat e njëri-tjetrit. Biseduam gjerë e gjatë mbi Shqipërinë, mbi Maqedoninë, marrëdhëniet mes nesh, mes partive tona, por dhe mbi librat, tha Rama. Ndërsa lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në këtë konferencë të përbashkët me Kreun e PS Rama foli për mirëkuptim dhe qëndrim të përbashkët në lidhje me temat e diskutuara gjatë takimit dypalësh: Patëm një dakordësi për temat e rëndësishme që folëm, për rrugëtimet e përbashkëta që na presin në të ardhmen si shtet e si parti. Po ashtu Ahmeti pohoi se e ka njohur Ramën me programin e përbashkët për qeverisjen e Maqedonisë: “Folëm për situatën politike në Maqedoni. Njoftova z.Rama në lidhje me proceset në Maqedoni, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, arritjet, sidomos për interpretimin autentik të ligjit në rastet e Hagës, për rregullimin e çështjeve të përdorimit të simboleve, për avancimin e gjuhës dhe programin e përbashkët që partnerët marrin për të bashkëqeverisur vendin. E përgëzova Ramën për arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim për integrimin e Shqipërisë në BE. Jemi të gëzuar se kjo është një marrëveshje për Shqipërinë dhe shqiptarët, përfundoi Kreu i BDI-së Ahmeti.
Një ditë më parë Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u takua dhe me Kryetarin e LSDM, Branko Cervenkovski, i cili ndodhet në opozitë. Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer qëndrimet e tyre për situatën në Shqipëri dhe Maqedoni sa i takon integrimit europian dhe mundësive për të përshpejtuar këto procese. Të dy bashkëbiseduesit kanë qenë të një mendimi kur kanë pohuar se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë të një niveli që konsiderohet i mirë, por që sigurisht thellimi i mëtejshëm i tyre është një mundësi e vazhdueshme.