E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, takime në Bruksel dhe SHBA

Brenda janarit, vizitë në kryeqendrën e diplomacisë, më pas drejt Shteteve të Bashkuara
Fundi i muajit janar do të sjellë një axhendë të ngjeshur ndërkombëtare për kreun socialist, Edi Rama. Turi i takimeve me personalitete të huaja nis në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaji për të marrë fund në muajin mars me një tjetër udhëtim të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burime nga selia rozë konfirmuan se kryetari Rama do të shkëputet për disa ditë nga ngjarjet dhe zhvillimet në Tiranë për të udhëtuar drejt Brukselit, kur po përgatitet një takim me komisionerin e zgjerimit, Stefan Fule. Veç të tjerash, burimet saktësuan se Rama pritet të zhvillojë edhe takime me personalitete të së majtës europiane, por axhenda e takimeve është në përpunim e sipër ndaj deri në nisje ajo pritet të pasurohet me të tjera aktivitete.
Pas takimeve në Bruksel, Rama pritet të kthehet sërish në vend ku do të fokusohet në përgatitjet e mbledhjes së komisionit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste, ku pritet të konfirmojnë prezencën e tij edhe kreu i PASOK-ut, George Papandreu, duke vijuar më pas me një mbledhje të Partive Socialiste Europiane po në Tiranë në prezencën e Martin Shultz. Pas gjithë këtyre organizimeve, Rama do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por siç konfirmojnë burimet është ende herët që të flitet për një axhendë konkrete. Takimi në Bruksel vjen paralelisht me një tjetër eveniment që lidhet me Shqipërinë, po në Strasburg, ku në datën 27 janar pritet diskutimi e më pas miratimi i një dokumenti, i cili është përgatitur nga dy raportues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Momentalisht, Partia Socialiste sapo ka përmbyllur mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku pati debate në lidhje me vendimin e saj për të kushtëzuar marrëdhëniet me Parlamentin. Kryetari socialist, Rama, ka nënvizuar qartë se kjo parti do të vijojë të ketë të njëjtin qëndrim për bojkot e protesta deri në hapjen e kutive. Ndërkohë që është parashikuar një tjetër asamble që mund të flasë për këtë çështje, por deklarimet e drejtuesve të selisë rozë konfirmojnë se nuk ka ende ndonjë ide se kur mund të zhvillohet ajo. Zhvillimet në selinë rozë janë përshkallëzuar për shkak të një letre që ka dërguar Kryetarja e Kuvendit, e cila vë në dijeni se mandatet e deputetëve mbarojnë në datën katër mars.
Kjo i ka dhënë shkas edhe deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe që jo vetëm të kritikojnë strategjinë e bojkotit si të dështuar, por nga ana tjetër të deklarojnë hapur se do të hyjnë në Kuvend për të mos iu djegur mandati. “Unë i bëj apel miqësisht të gjithë deputetëve të PS që të rishikojnë me vullnet të lirë vendimin e tyre, për të shkuar në Parlament sa më shpejt. Për sa më takon mua jam një njeri i lirë, durimi im ka një fund. Nevoja për t’iu bindur një politike të mbrapshtë, edhe ajo e ka një cak. E theksoj, pavarësisht nga vendimi që do të marr grupi parlamentar, i cili nuk kam arsye ta paragjykoj unë do të jem në Parlament javën e parë të marsit”, është shprehur një prej deputetëve të selisë rozë, Ben Blushi. Sipas tij, kjo forcë politike është më e dobët se para fillimit të bojkotit. “Sot PS është më e dobët se në shtator, tetor, nëntor, sepse nuk ballafaqohet dhe është e pamundur të mundësh një kundërshtar, sepse nuk e ke përballë. Ne nuk mund të mundim një kundërshtar në rast se nuk shkojmë në Parlament. Rruga e bojkotit ishte joproduktive, bile e dëmshme për ne të Partisë Socialiste”, u shpreh ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›