E Shtunë, 31 Tetor 2026

BQE vihet të ndihmë të vendeve kandidate

Integrimi

Banka Qendrore Europiane filloi dje një program që synon të forcojë mbikëqyrjen bankare në vendet që kanë ambicien e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në një njoftim për shtyp, BQE deklaroi se do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë në këtë drejtim. “Stabiliteti i sistemeve bankare në vendet në fjalë ka një rëndësi jetike në arritjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, tha në prezantim Olli Rehn, komisioneri i emëruar i BE-së për çështjet Ekonomike. “Në këtë mënyrë ne i ndihmojmë gjithashtu këto vende për të ecur në kohë në procesin e integrimit, pavarësisht krizës ekonomike”, shtoi ai. Programi pritet të kushtojë 2.65 milionë euro dhe do të financohet nga Bashkimi Europian. Ai do të zgjasë dy vjet. Sipas programit, BQE do t’i bashkohet bankave kombëtare qendrore të Eurozonës për të ofruar ndihmë teknike dhe trajnime për bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse në Kroaci, Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Malin e Zi, Serbi, Kosovë e Turqi.
Anëtari i bordit ekzekutiv të BE-së, Lorenzo Bini Smaghi, tha se programi do të ndihmojë gjithashtu ndërtimin e institucioneve mbikëqyrëse të ndjekin politika të kujdesshme makroekonomike në vendet që mund të bëhen një ditë anëtare të Bashkimit Europian. Disa nga vendet e Ballkanit kanë lidhur monedhat e tyre me kurs fiks këmbimi me euron, si masë stabilizuese, ndërsa disa të tjera i kushtojnë një vëmendje të veçantë joformale kursit të këmbimit të euros me monedhat e tyre kombëtare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›