E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti takon deputetët

Topi: Prishtinë-Tiranë, të thellohet bashkëpunimi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një takim dje me një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, shprehu nevojën për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.Në përbërje të grupit të deputetëve ishte kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, që shoqërohej nga deputetët Tom Hajdari dhe Albatros Rexha. Gjatë takimit, Presidenti Topi u shpreh se Republika e re e Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multietnik, me synime të qarta integruese në gjirin e familjes europiane dhe strukturat euroatlantike.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve infrastrukturore, si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, agrobiznesit, etj. Nga ana e tyre, deputetët e Kuvendit të Kosovës e informuan Topin rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës, për të rritur dhe më tepër njohjen ndërkombëtare të saj, për zhvillimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik dhe ato për në Europën e Bashkuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›