E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon Thacin: Privilegj të kaloj në Kosovë festat e Nëntorit

PRISHTINË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Kosovë është takuar me kryeministrin Hashim Thaci. Disa detaje të këtij takimi lideri i opozitës i ka publikuar në faqen e tij në Twitter, ku thekson se takimi me Thacin ishte i shkëlqyer.

Rama, sipas mediave kosovare është shprehur i nderuar që do të kalojë vigjiljen e dy festave kombëtare në Kosovë.“Ishte si përherë kënaqësi e veçantë takimi me kryeministrin Thaçi, jo vetëm kryeministri i Kosovës por edhe një mik i mirë dhe shumë i respektuar nga të gjithë ne, në një moment të rëndësishëm, momentin e vigjiljes të një feste të madhe siç është festa e Pavarësisë dhe ajo e Flamurit, që unë kam privilegjin ta kaloj këtu, duke mu dhënë mundësia që të vizitoj edhe kryeministrin dhe vendet e simbolikës së madhe kombëtare", tha Rama.

Kryesocialisti  ka deklaruar më tej, se i ka dhuaruar Thacit një kopje të programit të ri të PS-së, ku zë vend ideja e unifikimit të sistemit arsimor mes dy vendeve.“Pata kënaqësinë që t’i dhuroj kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të Partisë Socialiste dhe të opozitës shqiptare, ku një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, është ideja e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u dhënë mundësi gjithë fëmijëve dhe të rejave dhe të rinjve, që të arsimohen dhe edukohen brenda të të njëjtit system”, u shpreh ai.

Lideri i opozitës është shprehur se “Kosova është një nga ato pikat e palëvizshme përbashkuese për të gjithë klasën politike në Shqipëri”.

Nga ana e tij kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci vlerësoi rolin dhe kontributin që po luan opozita shqiptare në procesin e njohjeve të Kosovës, ndërsa gjeti rastin të urojë të gjithë shqiptarët për festat e nëntorit.
“Kjo vizitë është në prag të festave të nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar. Uruam njëri-tjetrin, dhe më lejoni që të uroj të gjithë shqiptarët për këto festa, dhe të gjitha të mirat për ta”, tha Thaci.

Thaci nënvizoi më tej se do të vazhdojë bashkëpunimin me Ramën për perspektivën e integrimit europian të dy shteteve shqiptare. “Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë fuqishëm për perspektivën e Kosovës evropiane, për perspektivën e Shqipërisë evropiane, për perspektivën e gjithë rajonit, një perspektivë evropiane. Folëm për procesin e integrimit, për procesin që shumë shpresojmë shumë që të hapet dhe të ec me shumë shpejtësi për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës”,tha kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Thaci komentoi më tej se, ka marrë në duart e tij librin më të fundit të liderit të opozitës, Kurban-in. “Pata kënaqësinë që të marr edhe librin nga Rama, për të cilin e uroj dhe e përgëzoj, për mjeshtërinë e tij në të shkruar, dhe prezantimin që e ka bërë. Prandaj, i uroj edhe njëherë sukseset më të mira z.Rama në politikë, në karrierën e tij, në punën e tij”, përfundoi Thaci.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›