Komisioni i Reformës Zgjedhore nis punë të mërkurën
Konsensusi i dëshmuar në dy javët e fundit mes mazhorancës dhe opozitës në miratimin e një sërë nismash dhe vendimesh të rëndësishme në parlament, do të vijojë në javën e ardhshme edhe me nisjen nga puna konkrete e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore. Të mërkurën, menjëherë pas festave do të mbahet mbledhja e parë e konstituimit të komisionit të posaçëm për reformën elektorale. Ka qenë Damian Gjiknuri, njëri prej bashkëkryetarëve të këtij komisioni, ai që ka konfirmuar lajmin për mediat, ndërsa ka theksuar se në këtë mbledhje pritet të bëhet dhe zgjedhja e grupit të ekspertëve, të cilët do të punojnë për çështjet konkrete duke ndihmuar anëtarët e komisionit. Gjithashtu, në këtë mbledhje do të miratohet edhe plani i punës së këtij komisioni. Komisioni i Reformës Zgjedhore u miratua nga Kuvendi 10 ditë më parë, me konsensus absolut të të gjitha partive pjesëmarrëse në të. Madje ky vendim mori më shumë vota pro se çdo projektligj apo vendim tjetër të marrë herët e fundit nga Kuvendi, pasi të 130 deputetët e pranishëm në sallë kanë miratuar propozimin e ardhur nga Konferenca e Kryetarëve. Komisioni do të drejtohet nga Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri, ndërkohë që anëtarë të tij do të jenë Viktor Gumi, Fatmir Mediu, Vangjel Tavo, Shpëtim Idrizi, Vasilika Hysi, Armando Subashi, Arben Isaraj dhe Vangjel Dule. Sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi, komisioni ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it, për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Gjithashtu, komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare, të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe të institucioneve shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Sipas vendimit të miratuar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias, ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë e ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij. Gjithashtu, në të përcaktohet se çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Ndërkohë që në të përcaktohet gjithashtu se për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, ai do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.