E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE dhe KiE: Tryeza "Topi" t'i japë fund krizës

BRUKSEL - Megjithëse kriza politike pritet që të fillojë të marrë zgjidhje sot në tryezën e Presidentit Topi, nga vetë aktorët e politikës shqiptare, Rama e Berisha, komuniteti politik ndërkombëtar po tregohet mjaft aktiv për fatin e zgjidhjes së kësaj situate. Gjatë një deklarate për mediat, Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, kërkoi që liderët politikë shqiptarë të zgjidhin krizën politike në vend. Duke përshëndetur aksionin politik të Presidentit Bamir Topi, Buzek vuri në dukje se liderët politikë, duhet të zgjidhin situatën politike përmes dialogut. "Mirëpres iniciativën e Presidentit Topi për organizimin e tryezës së negociatave me liderin e qeverisë dhe opozitës shqiptare nesër (sot) në Tiranë. Shpresoj që këto bisedime do të sjellin zgjidhjen e krizës politike, e cila lindi që nga zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit", - thuhet në deklaratën e Presidentit të PE-së.
Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar është në pritje të një marrëveshjeje rezultative midis palëve politike. "I uroj fat politikanëve shqiptarë dhe jemi në pritje të lajmeve inkurajuese, nesër nga Tirana", - thekson Presidenti i PE-së.Komisioneri i ri evropian për Zgjerimin, Stefan Fule ka paralajmëruar gjithashtu liderët politikë shqiptarë se zgjatja e krizës do të ketë pasoja negative për të ardhmen e Shqipërisë. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland, në një deklaratë të publikuar në sitin zyrtar të këtij institucioni thekson se iniciativa politike tashmë e ndërmarrë prej kreut të shtetit, duhet të rezultojë me zgjidhjen e krizës politike. Jagland vlerëson iniciativën politike të Presidentit Topi, pasi sipas tij, ajo është në përputhje me rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës gjatë muajit të shkuar, ku kreut të shtetit shqiptar i kërkohej të ndërhynte për të zgjidhur krizën politike. "E mirëpres iniciativën e Presidentit Topi për të organizuar një tryezë të rrumbullakët me liderët e partive politike Shqiptare më 13 Shkurt, në përgjigje të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Iniciativa sjell një mundësi të rëndësishme për t'i dhënë fund krizës politike dhe për të përparuar me reformat e vendit dhe me axhendën e Integrimit Europian",- tha sekretari i përgjithshëm i KiE-së. Një nga përfaqësuesit e faktorit politik ndërkombëtar, që ka kërkuar zgjidhjen e ngërçit politik, është edhe ambasadori spanjoll Manuel Montobio, vendi i të cilit kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Montobio u ka bërë thirrje liderëve kryesorë në vend, Rama e Berisha, që ditën e sotme të arrijnë në një kompromis politik midis tyre. "BE mirëpret iniciativën e Presidentit Topi për një takim me Kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama dhe mirëpret përgjigjen pozitive nga ata për të marrë pjesë në takim", - thotë Montobio. Sipas kreut të diplomacisë spanjolle, Bashkimi Europian mbështet iniciativën e Shqipërisë për t'u integruar në të. Por, sipas tij, duhet angazhimi i liderëve të forcave politike, që sipas tij, duhet ta kuptojnë mirë sesa e dëmshme është kriza politike për të ardhmen europiane të Shqipërisë. "Bashkimi Europian rikonfirmon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe i inkurajon veprimet që do të bëjnë të mundur bërjen e hapave përpara në këtë kontekst. Këtu duhet angazhimi i liderëve, që duhet të kuptojnë sesa e dëmshme do të jetë kriza për vendin", - theksoi më tej ambasadori spanjoll. Ambasadorët e huaj të akredituar në vendin tonë, kanë qenë mjaft aktiv gjatë kësaj jave në raport me aktorët politikë shqiptarë, veçanërisht me Berishën, Ramën dhe Presidentin Topi. Gjatë gjithë këtyre takimeve me drejtuesit e vendit, ata kanë kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës politike pasi në të kundërt, Shqipëria do të penalizohet gjatë rrugës për integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Kukan: Takimi, mundësi për gjetjen e dialogut

TIRANË - Edhe Kryetari dhe zv.kryetari i Delegacionit të Europës Juglindore, Eduard Kukan dhe Viktor Bostinaru, theksuan se liderët shqiptarë duhet të zgjidhin krizën politike duke përdorur mundësitë e dialogimit që krijon edhe Rezoluta e Këshillit të Europës. "Ne i bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të kërkojë zgjidhjen e krizave. Ata duhet të përdorin dritare të mundësisë të krijuara nga Rezoluta 1709 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe rekomandimet e tij", - u shprehën Kukan dhe Bostinaru. Kukan dhe Bostinaru vunë në dukje se ata e mirëpresin tryezën politike të Presidentit Bamir Topi. Sipas tyre, kjo duhet të shërbejë si një mundësi për të arritur në një marrëveshje politike midis forcave politike kryesore. "Ne e mbështesin plotësisht rezolutën 1709 dhe i bëjmë thirrje politikanëve shqiptarë për të vepruar në bazë të kësaj rezolute. Ne mirëpresim nismën e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Presidenti Topi dhe shpresoj se kjo do të shërbejë si një terren për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale politike", - nënvizuan ata. Ndërsa shtuan se një situatë politike e qëndrueshme është thelbësore për procesin e zbatimit të MSA-së dhe liberalizmit të vizave. Sipas tyre, nëse në Shqipëri nuk rikthehet stabiliteti politik do të rezultojë me pasoja negative për synimet europiane të vendit tonë. "Ne gjithashtu theksojmë se situata e qëndrueshme dhe transparente politike luan rol jetik në procesin e implementimit të Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave. Vazhdimi i situatës ka një ndikim negativ në ambiciet evropiane të popullit shqiptar", - u shprehën më tej Eduard Kukan dhe Viktor Bostinaru.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›