Rama takon sipërmarrësin shqiptar në Miçigan, kompania e tij bashkëpunon me “Ford”, GM dhe “Chrysler”

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kompaninë “Universal Transport” në Miçigan, një sipërmarrje e suksesshme e drejtuar nga një prej anëtarëve të komunitetit shqiptar në SHBA.
Rama vizitoi kompaninë e drejtuar nga Adriatik Sheko, i cili ka ndërtuar një histori suksesi në industrinë e transportit në SHBA, duke e shtrirë këtë histori edhe në Shqipëri.
Sheko i shpjegoi Kryeministrit se kompania ka një flotë prej më shumë se 200 kamionësh, rreth 500 trajlera, si dhe bashkëpunon me tri superfuqi që ka Amerika në prodhimin e industrisë së makinave.
“Kompania ‘Universal Transport’ ka bërë një rrugë të gjatë dhe sot jemi këtu. Nuk ka qenë e lehtë. Kemi pasur një rrugë të vështirë, por ja dolëm. Bashkëpunojmë me tri superfuqitë që ka Amerika në prodhimin e industrisë së makinave, ‘Ford’, ‘General Motors’, ‘Chrysler'”, tha ai.
Sipërmarrësi shqiptar theksoi po ashtu se kompania është prezente edhe në Shqipëri.
Po ashtu ai theksoi se në bashkëpunim me Universitetin Europian po punohet për të marrë në punë disa studentë që t’u jepet atyre një mundësi pune.
“Personalisht dua t’ju falenderoj për modernizimin që i keni bërë Shqipërisë, për imazhin që i keni dhënë Shqipërisë, sepse e shohim që shumë investitorë dhe shumë biznesmenë të suksesshëm janë afruar dhe kanë dëshirë të investojnë në Shqipëri. Unë mendoj që secili nga ne ka dhe detyrimin që të bëjë diçka për vendin e vet”, iu drejtua Sheko kryeministrit Rama.
Sheko theksoi po ashtu se kompania “Universal Transport” operon në shtete të ndryshme.
/m.m/a.f/r.e/