E Diel, 1 Nëntor 2026

Superstrada Tiranë-Durrës me kufizime gjatë natës, devijohet trafiku

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kufizime të përkohshme të qarkullimit do të aplikohen në superstradën Tiranë-Durrës gjatë dy netëve, për shkak të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor (Faza III).

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur se më 21 shtator (sot), nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet drejtimi Tiranë-Durrës, ndërsa më 22 shtator (nesër), në të njëjtin interval orar, do të bllokohet drejtimi Durrës-Tiranë.

Bllokimi i parë do të kryhet për montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit. Automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohen përmes rampës së Rinasit dhe rrugës dytësore, për t’u rikthyer më pas në superstradë.

Për mjetet e rënda, ARRSH rekomandon devijimin që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, për të shmangur përdorimin e rampës provizore të Rinasit.

Më 22 shtator, trafiku në drejtimin Durrës-Tiranë do të devijohet përmes mbikalimit Kashar-Thumanë dhe rrugës dytësore, duke u rikthyer në autostradë pas mbikalimit të Kasharit.

Automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen përmes sinjalistikës përkatëse që në mbikalimin e autostradës Kashar-Thumanë.

ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orarit të punimeve.

1 nga 3

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›