“Rama të dëgjojë edhe apelin që vjen nga ndërkombëtarët, bojkoti është një luftë e humbur”
Deklaron ministri i Punëve Publike, Sokol OlldashiDeputeti i Partisë Demokratike dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, u shpreh se PS duhet të dëgjojë apelin e ndërkombëtarëve për t’u rikthyer në parlament. Olldashi mori shkas nga kritikat ashpra që grupet e majta dhe të djathta adresuan në drejtim të përfaqësuesve të opozitës shqiptare në Asamblenë Parlamentare të KiE. “Anëtarët e Asamblesë së KiE kanë bërë thirrje të qartë, për të ndërprerë bojkotin. Kjo është ajo që duhet të ndodhë. PS të dëgjojë thirrjen e ndërkombëtarëve dhe të lejojë rikthimin e deputetëve në kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Olldashi. Lidhur me mundësinë e djegies së mandateve të deputetëve socialiste, me shkeljen e afateve kushtetuese, Olldashi deklaroi se, “në mars mandatet e Ramës do të jenë në djegie sepse kështu e parashikon ligji”, por, u shpreh ai deputetët socialistë do jenë në parlament brenda afateve. “Unë nuk mund të parashikoj nëse Rama mund të veprojë si një politikan normal, por besoj që PS është shumë më e madhe se Rama dhe ka brenda vetes mençurinë dhe forcën e duhur që të kuptojë se kjo është një luftë pa krye dhe që nuk do të gjejë asgjë. Mendoj se grupi parlamentar do jetë në parlament brenda afatit kushtetuese”, tha Olldashi. Sipas tij, tensione politike ka patur edhe më parapara, por ka patur një limit dhe limiti ka qenë interesi madhor i Shqipërisë. “Edhe PS duhet të ndalojë dhe të kuptojë, se interesat janë shumë të gjëra. Bojkoti i kuvendit, është një precedent shumë i rrezikshëm për vendin. Rama ka kryer veprime individuale me PS, duke shkuar kundër dhe duke provokuar vendin. Të gjithë faktorët e tjerë në Shqipëri janë duke punuar për të plotësuar detyrimet ndaj BE. Rama nuk mund ta penalizojë këtë rrugë”, deklaroi ndër të tjera Sokol Olldashi. Ai u shpreh më tej se deputetët socialistë që do të vendosin të hyjnë në parlament do t’i bashkohen nismës së gjerë të mazhorancës në rrugën e reformave për proceset integruese të vendit. “Ndaj deputetëve socialistë që do të hyjnë në Kuvend para afatit kushtetuese, mazhoranca do ta përshëndesë këtë akt moral dhe logjik. Ata janë mandatar për në parlament dhe jo për të bredhur rrugëve. Deputetët janë të mirëseardhur. Mendoj se i gjithë grupi i PS do ta marrë një nismë të tillë. Më pas qëndrimi do të jetë ai që është shprehur nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës, pra një ofertë e hapur për bashkëpunim, hapësirë e plotë për të respektuar të drejtat e opozitës dhe një ndërveprim i plotë”, nënvizoi deputeti dhe ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi....