E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar me Greqinë, Meta: Pavarësisht vendimit të GJK, do merret në shqyrtim argumenti i ekspertëve

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar sot lidhur me vendimin e Gjykatës Kushetuese që sipas të dhënave të publikuara, pezullon një marrëveshje të përcaktimit të ujrave detare të Shqipërisë me Greqinë. Në një prononcim për shtyp, Meta deklaroi se pavarësisht vendimit, do të shqyrtohet me imtësi çdo argument i ekspertëve lidhur me pezullimin ose jo të marrëveshjes. Meta theksoi se qeveria do të zbatojë çdo vendim që del nga institucionet e pavarura, ndryshe nga sa vepron opozita, por fillimisht të njihet direkt me vednimin e ri të Kushtetueses. “Ajo që duhet te themi është se ne cilindo rast qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuse, pasi kjo është një dosmodoshmëri që vjen nga respekti që vjen karshi institucioneve të pavaruara. Ky është dallimi esencial lidershipit dhe kësaj mazhorance krahasuar me të tjerët, që ne respektojmë çdo vendim të institucioneve të pavarura”- u shpreh Meta. Ministri i Punëve të Jashtme njëkohësisht zv/kryeministër thekson se pavarësisht vendimit, do të lexohet me vëmendje nga ekspertët çdo lloj argumentimi rreth pezullimit të Marrëveshjes me Greqinë dhe me pas do të ndiqen hapa të tjerë nëse lind nevoja. “Ne do të lexojmë me vëmendje çdo lloj argumentimi duke bërë sqarimin e duhur. Ne nuk do të bëjmë asnjë sqarim pa patur të zbardhur vendimin në dorë të Kushtetueses”. I pyetur nga mediat nëse ky pezullim do të sjellë krisje në marrëdhëniet me Greqinë, Meta shprehet se nuk mund të ndodhë asgjë e tillë. “Marrëdhëniet do të ecin përpara. Cilido që dëshironte të cënonte marrdhëniet mes dy vendeve do të mbetet i zhgënjyer”- u shpreh zv/kryeministri Ilir Meta. Deklarata e plotë e Zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta:Pyetje: Z.  Meta, Gjykata Kushtetuese është shprehur sot përsa i përket marrëveshjes që përcakton ndarjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. A keni një koment? Përgjigje: Ju e dini se që në momentin që kjo çështje ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, qeveria ka ndërprerë çdo lloj debati publik për këtë çështje, pasi ka bërë gjithë transparencën e duhur dhe të domosdoshme më parë, pikërisht në respekt të pavarësisë së institucioneve dhe të Gjykatës Kushtetuese për rastin në fjalë. Jemi njohur nga disa gazeta sot, lidhur me një vendim të caktuar që është marrë. Natyrisht që shtypi këtu e ka forcën, ai i merr informacionet përpara politikës, ndaj ne e respektojmë shtypin dhe pushtetin tuaj, siç respektojmë dhe pushtetin e gjykatave. Ajo që dua të them është se në cilindo rast, sikurse jam shprehur dhe përpara se kjo çështje të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është një domosdoshmëri që vjen nga respekti i qeverisë për pavarësinë e gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, pavarësisht nga pretendimet apo nga rezervat që mund te kemi ndaj çdo lloj vendimi, pasi ne do të lexojmë me vëmendje dhe argumentimet që do të jepen dhe kuptohet që do të bëjmë edhe sqarimet e duhura. Por dallimi esencial midis kësaj mazhorance evropiane për integrim me lidershipin aktual të opozitës aktuale, është pikërisht ky: Ne i respektojmë vendimet e gjykatave edhe kur na pëlqejnë, edhe kur mund të kemi rezerva për to. Kurse ata janë vetëm për ato vendime që u pëlqejnë dhe i injorojnë kur këto vendime bien në kundërshtim me pëlqimet, apo dhe me interesat e tyre të ngushta politike. Pyetje: Z. Meta! Sa mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe shtetit grek ? Përgjigje: Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pavarësisht nga cilido që mund të jetë mendimi dhe argumentimi përkatës, janë marrëdhënie të cilat do të ecin përpara, ashtu sikurse jemi të bindur se zgjidhja e gjithë çështjeve të cilat janë të mbartura nga e kaluara, sikurse është dhe çështja e këtyre kufijve, absolutisht që është një gjë e domosdoshme, aq më tepër për një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian si Shqipëria. çdo gjë do të bëhet duke respektuar institucionet e dy vendeve, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe cilido që do të dëshironte që ky vendim do të cënonte marrëdhëniet mes dy vendeve, jam i bindur se do të mbetet i zhgënjyer. Pyetje: Në eksperiencën tuaj të gjatë si Ministër i Jashtëm, a duhej që në këtë rast pala shqiptare të merrte plotfuqinë e Presidentit? Përgjigje: Ne nuk do të bëjmë asnjë sqarim pa pasur të zbardhur qëndrimin dhe argumentimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushdo që të jetë vendimi, ne e kemi thënë para se kjo çështje të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, ne do ta respektojmë, sepse respektojmë pavarësinë e gjykatave që është esenciale për një vend demokratik dhe që do të bëhet evropian. Nuk jemi si ata që respektojnë ato vendime të gjykatave që pëlqejnë dhe kundërshtojnë ato,vendimet e  të cilave nuk janë në interesin e tyre të ngushtë. Ky është qëndrim parimor. Përsa u takon sqarimeve apo vlerësimit tonë për argumentimet, arsyet të cilat kanë çuar në një vendim të caktuar, ne do i bëjmë publike në  momentin e duhur. Por derisa asgjë nuk është e qartë dhe zyrtare përfundimisht sigurisht që edhe ne rezervohemi të bëjmë komente të cilat mund të ishin të parakohshme. Pyetje: Z. Meta, për rinegocimin e marrëveshjes, a do të jetë i njëjti grup që bëri negocimin e parë të kësaj marrëveshjeve mes dy vendeve? Përgjigje: Do të lexojmë me shumë vëmendje të gjitha argumentet që do të jepen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Më pas do të japim sqarimet për ju dhe për gjithë opinionin publik dhe pa asnjë diskutim, do të jemi sërish para jush  për tju bërë të qartë sesi do të ecet më tej. Absolutisht që çështje të tilla, që janë të mbartura, janë çështje të cilat do të zgjidhen, në respekt të vendeve përkatëse, natyrisht dhe në respekt të ligjit shqiptar dhe me përkushtimin e pamohuar për të ardhmen evropiane, sidomos të vendit tonë. Pyetje: Z. Meta,ju vjen mirë, apo ju vjen keq për këtë vendim të gjykatës? Përgjigje: Mua nuk më shkon të them as që më vjen mirë dhe as që më vjen keq. Mua më takon të them se do të respektojmë vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse na vjen mirë apo jo, të bindur apo jo, do të shikojmë dhe argumentimin, Por ju e dini që atje janë bërë  pyetje të cilat i takojnë dhe Parlamentit, sikurse ishte pyetja që u drejtohej përfaqësuesve të qeverisë: “ Nga niseni ju kur thoni se përse janë të mira marrëdhëniet me Greqinë?” Megjithatë, na pëlqen s’na pëlqen, jemi të bindur s’jemi të bindur, ne respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një vend evropian i cili bazohet në respektin ndaj vendimeve të gjykatave. Më pas ne do të shohim argumentimet dhe do të japim sqarimet të cilat absolutisht që do të jenë transparente përpara jush, si gjithmonë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›