Meta në Kuvend: Zgjedhjet, kapitull i mbyllur
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, njëherësh ministër i Jashtëm në kabinetin “Berisha”, deklaroi dje nga salla e Kuvendit se kapitulli i zgjedhjeve në vend është i mbyllur. “Nuk ka asnjë çështje “zgjedhje”. Kapitulli i zgjedhjeve është i mbyllur. Kapitulli i arritjes së standardeve më të larta është i hapur dhe opozita ka lidershipin për të udhëhequr këtë reformë për të arritur në standarde më të larta. Kjo nuk mund të bëhet me shantazh”, - deklaroi Meta nga Kuvendi. Meta tha më tej se fton Ramën për të biseduar, por siç shtoi ai, jo në bazë kapriçosh. “Ne nuk mund të mbetemi peng për kapriço personale. Kjo rrugë nuk na çon para. Do të apeloja për dialog dhe mirëkuptim, për të vlerësuar çdo kërkesë të ligjshme për të bërë transparencën, por pa cenuar shtetin ligjor”, - deklaroi Meta. Në rast se situata vijon në këtë gjendje, Meta tha se mbeten vetëm dy rrugë për të bërë. “Si mund të ketë dialog në këto kushte kur ka vetëm ultimatume? Ka vetëm dy rrugë: Ose ata do të vijnë në Kuvend dhe të bëjmë dialog në institucione, ose do të shkojmë edhe ne me batanije dhe të bëjmë dialog në rrugë. Askush nuk mund të kërkojë në Shqipëri hapjen e kutive, pasi ne kërkojmë një Shqipëri të ligjit, që kërkon respektimin e vendimeve të gjykatave”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Meta.