Të lexosh keq e të lexosh mirë raportin e “Transparency International”
Ashtu siç ndodh në shumë raste të publikimit të raporteve ndërkombëtare, qoftë zyrtare e qoftë joqeveritare, siç është rasti i raportit të “Transparency International” (TI), edhe kësaj radhe shifrave që u dhanë iu bë një interpretim i shpejtë, sipërfaqësor dhe me synim një produkt politik prej këtij komenti.
Interpretimi dominant ishte ai i bazuar mbi përshkrimin fizik të tabelës së renditjes së vendeve sipas pikëve që kanë përftuar nga vëzhgimi apo sondazhi i “TI”. Thuhet se Shqipëria ka zbritur dhjetë vende në tabelë. Në pamje të parë kjo është e vërtetë. Shqipëria ka zbritur dhjetë vende. Këtë zbritje në tabelë mund ta pësonte edhe nëse Shqipëria do të kishte rritur CPI (Corruption Perceptions Index). Kjo do të ndodhte në rast se vende të tjera do të kishin një rritje më të shpejtë të CPI, pra vende që ndodheshin në 2008 nën 3.3 pikë, do të kishin një rritje në numër të madh drejt një shifre ta zëmë mbi 3.5. Nëse shikojmë me vëmendje renditjen e dy viteve të fundit do të vëmë re se renditja në tabelë dhe referenca te kjo renditje nuk ka kuptim cilësor, por vetëm kuptimin e radhës.
Është si të lëvizësh në një shtyllë të vendosur pothuajse horizontalisht dhe jo si të lëvizësh në një shtyllë vertikale siç komentohet në Tiranë.
Ajo që ka kuptim cilësor është CPI, të cilin Shqipëria e ka më të ulët këtë vit. Vendi ka arritur të grumbullojë 3.2 pikë nga 3.4 që ka grumbulluar vitin e kaluar. Pra, ka një rritje të perceptimit të korrupsionit me 0.2 pikë, ndërkaq që besueshmëria e kësaj vlere sillet në kufijtë 3.0-3.3, ndërsa vitin e kaluar ka qenë në kufijtë 3.3-3.4. Nëse përdorim optimizëm në leximin e këtyre kufijve kemi për këtë vit njëfarë mundësie që 3.2 të jetë edhe 3.3, dhe vitin e kaluar 3.4 do të ishte vetëm 3.4. Kushdo ka mundësinë e konsultimit të faqes në web të “TI”-së do të kuptojë se përveç shifrës së renditjes që nuk ka kurrfarë rëndësie, veç për ata që lexojnë shpejt, edhe shifra e kufirit të besueshmërisë ka mjaft kuptim, pasi ky kufi siç duket edhe në rastin e Shqipërisë në dy vite ka një lakore të ndryshme për shkak të referencave të ndryshme.
Duke mbetur te referencat që përdoren për të nxjerrë CPI-në, pra indikatorët duhet të kemi parasysh se ata ndryshojnë vit pas viti, kështu që edhe përmbajtja e CPI-së ndryshon, natyrisht jo në mënyrë thelbësore, por mjaftueshëm sa për të nisur një analizë serioze jashtë shifrës së renditjes, e vetmja shifër që shpreh thjesht aritmetikë në tabelat e CPI-së.
Vitin e kaluar “TI” ka përdorur 5 indikatorë për të nxjerrë pikët e Shqipërisë, ndërsa këtë vit ka përdorur gjashtë indikatorë. Thënë përmbledhtas, indikatorët që përdor “TI” janë vëzhgime të tjera mbi të cilat ndërton një vëzhgim përmbledhës. Që të gjitha kanë një vlerësim cilësor mbi gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, apo perceptimin e korrupsionit në këtë vend. Por ndryshimi i indikatorëve herë pas here e bën të pavlefshëm, ose pjesërisht të vlefshëm krahasimin mes viteve. Nëse indikatori i shtuar në rastin e Shqipërisë ka qenë ai që ka ulur pikët e mbledhura, duhet gjetur se cili ishte ky indikator, i përket qeverisë, i përket gjyqësorit, i përket institucioneve të tjera të pavarura, i përket pushtetit lokal, i përket shoqërisë civile e kështu me radhë. Mund të rastisë që indikatori i shtuar edhe të shtojë pikët, kjo është relative, por në të gjitha rastet, të gjithë indikatorët nuk matin vetëm qeverinë. Mjafton t’i hedhësh një sy metodologjisë që ka përdorur “TI” për të bërë matjen edhe vjet, edhe sivjet, që të merret vesh se vlerësimi i CPI përmbledh sektorë të gjerë të shoqërisë shqiptare, në disa prej të cilëve nuk ka dorë qeveria.
Vetë “TI” porosit që “krahasimi mes viteve të shmanget ose të lexohet me kujdes” pasi mund të orientojë gabim përpjekjet e një vendi për të luftuar korrupsionin.
CPI është një indikator ndër më të besueshmit për luftën kundër korrupsionit në të gjithë botën. Ai mat perceptimin për korrupsionin në një vend dhe nuk mat incidencën. Ai është “një survey i ndërtuar mbi surveys”. Perceptimi përftohet nga publiciteti i një incidence prej politikanëve, medias, aktorëve të tjerë publikë etj. Në vendet me pasion politik të zhvilluar dhe përplasje të fortë politike, siç është Shqipëria, shanset që një incidencë, pra një rast korruptiv, qoftë edhe i goditur të prodhojë shumë perceptim për korrupsionin në vend sesa në një vend tjetër më të qetë politikisht si ta zëmë Suedia, Holanda apo Zelanda e Re, vende që vazhdimisht ruajnë kryesimin e tabelave të CPI-së.
Mjaftojnë këto të dhëna që deklaratat e djeshme të politikës, por edhe komentet në media të ndërtuara mbi renditjen e Shqipërisë të jenë të pabazuara. Është e pabazuar ta zëmë deklarata e PS-së se fajin e ka qeveria, sepse mund të jetë fajtor edhe kryetari i kësaj partie që drejton Bashkinë e Tiranës, aq më shumë kur një prej indikatorëve më të palëkundur është opinioni i biznesit me të cilin pushteti lokal në Tiranë ka jo pak probleme, mund të jetë pushteti gjyqësor, që po ashtu është ndër indikatorët më të palëkundur, dhe për të cilin qeveria nuk ka faj. Por nuk mund të qëndrojë mbi argumentin e lëvizjes në shtyllë edhe deklarata e ardhur nga PD-ja, se Rama ka ulur CPI-në e Shqipërisë, edhe nëse vërtet e ka ulur, përderisa ne nuk e dimë saktë nëse është kështu, edhe pse mund të jetë.