E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, terroristi i 21 janarit që do të fshihet pas 11 shtatorit

11-09-2011 / Nga Ilir Nikolla

Politikani që sulmoi ushtrinë e një shteti anëtar të NATO-s më 21 janar dhe bllokoi çdo reformë për anëtarësimin e vendit në NATO e në BE, po kërkon të fshehë me kujtimin e 11 shtatorit historinë e vet anti-Perëndim. Duke iu falur letrave anonime që citon Wikileaks-i, një rrezik për sigurinë amerikane, Edi Rama po tregon se është një bizantin që përpiqet të marrë peng opozitën dhe ta përdorë atë si mish për top për interesat e tij personale 

Politika e Edi Ramës tashmë ka dalë nga përmasa bizantine e hileve dhe po shfaqet sheshazi si një shestim i aktivizimit publik të të gjitha strukturave për të përfituar sa të munden nga bujari i strukturave të BE-së dhe për të penguar sa të munden afrimin e shqiptarëve drejt tyre. S’është propagandë ky krahasim, por një bilanc i thjeshtë i aktivitetit antiintegrim të PS-së këto 6 vitet e fundit që na u kujtua edhe dje, kur Edi Rama kërreu një editorial, që kishte për qëllim përdorimin e Wikileaks, përdhosjen e miqësisë së shqiptarëve me SHBA-në dhe fshehjen e terrorizmit modern, atij që u shfaq në ditën e 21 janarit.
Duke kujtuar 10 vjetorin e aktit më të rëndë terrorist të epokës moderne, Edi Rama u kujtoi tiranasve aktin e parë terrorist të epokës së tij politike, atë të shndërrimit të tiranasve në kavie për eksperimentin e tij të arkitekturës moderne, njëfarë pararendësi i big-brodherit, kur brenda natës, banorët e panë veten si pjesë të një skenografie ku protagonizmin e luanin vijat e harqet me bojna. Fiks 10 vjet më parë e nisi Edi Rama karrierën e mungesës së respektit për tiranasit e qytetarët shqiptarë në përgjithësi, por e gjitha ka qenë e inkuadruar tek një lëvizje më e gjerë globaliste, antiamerikane e anti-imperialiste, e cila u shfaq më vonë vazhdimisht, edhe në bllokimin e integrimit të Shqipërisë në NATO, apo edhe në marrjen e statusit për në BE. Si faktorë dytësorë s’mund të mos përmenden momentet e ngrira në marrëdhëniet e kryetarit të PS-së me ndërkombëtarët, e cila merrte kuptim prej kësaj matrice antiamerikane e antiimperialiste.
Bilancin antiamerikan të Edi Ramës s’kishim ndërmend ta kujtonim bash sot, sikur Edi Rama të mos përpiqej vetë të rikonfirmohej si antiamerikani “par excellence” i klasës politike shqiptare. Dje ai e përdhosi paraprakisht kujtimin e 10 vjetorit të 11 shtatorit, duke na kujtuar se ishte ai që e kishte përdhosur Tiranën 10 vjet më parë me bojnat pa kuptim që s’po i hiqen dhe që tashmë po përpiqet të shfaqet si filoamerikani më i madh, vendim me të cilin konfirmohen edhe kabllot e wikileaks-it.
Një politikan i kalibrit të parë (në suazën shqiptare) si Edi Rama merr në konsideratë kabllot e wikileaks-it dhe i analizon si një yll polar për qëndrimet e SHBA-së dhe për rezonancën politike që ato kanë në Shqipëri!! S’ka gjë më jopolitike se ky pozicion. Edvini na ofron drojën se Shqipëria s’po tregohet një anëtare e denjë e NATO-s dhe s’reflekton për aktivizimin dyvjeçar të PS për shkatërrimin e stabilitetit të institucioneve të shtetit si dhe për ngritjen e një muri mes Shqipërisë dhe BE-së. Ai s’përgjigjet për sulmin politik që ithtarët e tij ndërmorën ndaj efektivave ushtarake të një shteti anëtar të NATO-s, duke pasur si “koleg” veç Gadafin në Libi. Përkundrazi, sërish u rikthehet dosjeve të Wikileaks-it, një akt i pastër terrorist ndaj sigurisë së SHBA-së, e rrjedhimisht edhe të NATO-s e të BE-së, dhe përmend një letër anonime ndaj gjeneralit që drejton aktualisht shtabin e ushtrisë shqiptare... Vini re, është e njëjta formë anti-Perëndim që përdorej gjithkund në superstrukturën e diktaturës komuniste. Edvini e njeh fort mirë këtë superstrukturë dhe dje u kap fort pas një letre anonime për të kërcënuar drejtuesin e një ushtrie anëtare të NATO-s e nëpërmjet tij edhe klasën politike që qeveris këtë vend.
Kablli i djeshëm që përcolli për mediat e veta Edvin Kristaq Rama ishte një akt post-bizantin i aktivitetit antiperëndimor që kryetari i PS-së s’pushon së ekzekutuari prej mëse 20 vjetësh, gjurmët e të cilit i gjejmë lehtë në këto 11 vitet e fundit. Por dje, Edi Rama ka fyer kujtesën dhe inteligjencën e shqiptarëve, duke e barazuar moralin e ringritjes pas 11 shtatorit me publikimin e kabllove të Wikileaks-it. Me 11 shtatorin barazohen gjenocidi ndaj arkitekturës së Tiranës, djegia e flamurit të NATO-s, bllokimi i reformave të BE-së dhe dhuna me armë ndaj forcave shtetërore me 21 janar. Këto kuante terroriste shënjojnë karrierën politike të Edi Ramës dhe dje prisnim prej tij kuante pendese dhe jo bizantinizma hakmarrjeje. Bizantinizmi është një formulë politike që s’ofron më perspektivë, por ofron një garanci dështimi për ata që e përdorin edhe në shekullin XXI.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›