E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama urime me foto nudo, shpërndan urime nga një çokollatë dhe fjalor politik

27/12/2011  Kryetari socialist Edi Rama ndërpret shpërblimet e fundvitit për administratën e PS-së

Kreu socialist Edi Rama shpërndan vetëm çokollata dhe kartolina për administratën e partisë dhe për ligjvënësit e saj. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Rama veç festës që organizonte për stafin e tij, madje duke shkuar deri në dhurata për secilin prej tyre, duket se buxheti i financave ka ardhur duke u minimizuar. Aq sa këtë fundviti PS-ja dhe punonjësit e saj përfundojnë me një zarf ku përfshihet urimi për secilin, ndërsa për deputetët është dhuruar dhe nga një fjalor politik. Vitet e kaluara për administratën e PS-së nuk kanë munguar shpërblimet prej 10 mijë lekë që bënte kryetari, i cili e kishte trashëguar këtë ritual nga paraardhësi i tij Fatos Nano.

Festat

Financat e Partisë Socialiste në nivele të ulëta. Kjo duket në atmosferën që mbizotëron në ambientet e kësaj partie. Përveç pemës tradicionale për festat e fundvitit, vendosur në hollin e selisë rozë, lidershipi i kësaj partie duket se nuk ka menduar të shkojë më tej. Nisur gjithnjë nga ajo çfarë shihet, kupola rozë është mjaftuar që të kënaqë administratën e saj me nga një çokollatë të shijeve të ndryshme dhe urimin përkatës. Ndërkohë për deputetët e grupit kuvendor lidershipi socialist ka zgjedhur që urimin ta paketojë në një zarf, ku nuk përjashtohet që veç kartolinës të përfshihet dhe ndonjë çokollatë e vogël.

Dhuratat

E kundërta pritet të ndodhë për vetë lidershipin socialist. Edhe pse dhuratat për administratën dhe ligjvënësit socialistë këtë fundviti kanë qenë të pamundura, kjo nuk do të jetë e njëjtë për të. Pritet që në adresë të tij të radhiten një sërë dhuratash, jo vetëm nga miq e të afërm, por dhe nga vetë përfaqësuesit socialistë, të cilët do ti shtojnë Ramës dhe dhurata të tjera, të denja për një kryetar partie. Përveç dhuratës së grupit parlamentar të PS-së brenda grupit thuhet se dhurata të tjera në adresë të tij do të vijnë dhe nga deputetët e kamur, të cilët në vitin 2009 u futën me shumicë në PS.

Viti 2012

Gjithsesi, fillimi i viti 2012 do të jetë intensiv për PS-në, pavarësisht krizës ekonomike që e ka përfshirë këtë parti. Përveç të tjerave, siç janë propozimet për kodin, do të jetë dhe përkujtimi i viktimave të 21 janarit. Ndoshta për këtë arsye Rama ka shmangur shpenzimet e tepërta në këtë vigjilje të vitit të ri. Dihet që organizimi i evenimenteve të tilla kërkon shpenzime të mëdha, siç janë transporti i njerëzve nga rrethet, pagesa e strukturave e të tjera si këto, shpenzime që arka e varfër e PS-së e ka të pamundur ti përballojë vetëm me kuotizacionet e anëtarësisë, të cilat me gjithë përpjekjet e kryetarit nuk kanë njohur ndonjë hov të qenësishëm në këto 6 vjet.

Kartolina e Ramës

Kartolina e festës së Vitit të Ri për shqiptarët nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është kjo fotografi e një femre nudo, vepër artistike e amerikanit Man Ray. Në faqen e tij zyrtare Rama ka shprehur urimin për shqiptarët, duke vendosur në qendër të një sfondi me dëborë dekorative foton e amerikanit, një grua e zhveshur deri në fundshpinë. Fotografia është realizuar në vitin 1924 dhe mban emrin “Le violon dIngres” (Ingress Violin), raporton agjencia e lajmeve NOA. al. Pak muaj më parë kjo vepër e Man Ray u ekspozua në Muzeun e Artit në Milano të Italisë nga fondacioni “Marconi”. Në fund të kartolinës është dhe urimi për shqiptarët: “Gëzuar 2012!”. Vetëm kaq, pa shtuar asnjë fjalë tjetër. Për krishtlindje Rama ka lajmëruar më datë 24 në faqen e tij “Twitter” se ka qenë me Lindën dhe me djalin e tij, Gregun, në Korçë për të festuar nën shoqërinë e kryebashkiakut të këtij qyteti.

Pak festa për vitin 2012. Topalli e vemja që organizon festë për fëmijët

Nga kriza duket se janë prekur dhe institucionet shtetërore, tek cilat në këtë prag feste është vënë re një lloj apatie dhe në festime. Për shembull, në krahasim me vitin e kaluar ftesat në redaksitë e gazetave dhe medieve vizive kanë qenë shumë më të pakta se vitin e kaluar. Burime nga institucionet shprehen se shkak për këtë është bërë dhe një vendim i Këshillit të Ministrave, që shkurton shpenzimet me rastin e fundvitit për institucionet buxhetore. E vetmja që ka gjetur një zgjidhje ideale për fundin e vitit është vetëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila këtë herë ka menduar të kënaqë vetëm fëmijët, qoftë të deputetëve, qoftë të gazetarëve. Të shtunën në ambientet e sallave të seancës plenare Kryetarja e Kuvendit krijoi një atmosferë të këndshme me fëmijët e deputetëve, ndërsa sot salla do të jetë e rezervuar për fëmijët e gazetarëve, një ide vërtet origjinale dhe për tu përshëndetur kjo e Kryetares Topalli, që nuk është vënë re në asnjë institucion tjetër përveç Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›