E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhësit tronditin Korçën, mbi 40 prej tyre adoleshentë

27/12/2011  Prokuroria: Gjatë vitit 2011 vjedhjet kanë shënuar rritje. Dy raste përfunduan me vdekje

KORÇE- Vjedhjet në qarkun e Korçës po vijnë duke u rritur nga viti në vit. Mjaft shqetësuese mbetet situata në rrethin e Korçës dhe veçanërisht në këtë qytet ku realizohet numri më i madh i vjedhjeve. Në rrethin e Devollit dhe të Kolonjës rastet e vjedhjes janë shumë më të vogla, ndërsa rrethi i Pogradecit nuk përfshihet në të dhënat zyrtare që do të jepen më poshtë, pasi Pogradeci është rreth gjyqësor më vete. Fenomeni i vjedhjeve ka nisur të tërheqë pas vetes jo vetëm të rriturit, por edhe adoleshentët, gjë që e bën situatën edhe më të frikshme, por edhe alarmante, pasi duket se masat parandaluese me qëllimin që adoleshentët të mos implikohen në vepra të tilla është bërë më se i domosdoshëm. Duket se shkaqet që çojnë drejt këtij fenomeni, mbetet pamundësia ekonomike për të përballuar jetën, narkomanët që tentojnë të sigurojnë lekët përmes rrugëve të tilla, si dhe braktisja e shkollës nga fëmijët e familjeve me probleme sociale. Nëse numri i vjedhësve do të rritet nga viti në vit, pas disa vitesh do të kemi një armatë të tërë vjedhësish që do të përshkojnë çdo rrugë të Korçës.

Vjedhjet

Tashmë ka filluar të ndihet qartë se numri i madh i vjedhësve që shfaqet çdo vit në qarkun e Korçës, dhe veçanërisht në këtë qytet po shndërrohet në një problem tejet serioz, pasi nga viti në vit fenomeni në fjalë po merr përmasa shqetësuese. Nëse një vit më parë, (gjatë vitit 2010), sipas statistikave të Prokurorisë Korçë u shënuan gjithsej 393 vjedhje, këtë vit kjo shifër u arrit vetëm gjatë 9 muajve të këtij viti, ndërsa raste të tjera janë duke u evidentuar nga policia, si dhe arrestimi i tyre. Kjo do të thotë se në fund të vitit 2011 (nëse ecet me këto ritme) do të kemi një shifër së paku me rreth 160 vjedhje ose më shumë, ku të sulmuar nga vjedhësit do të mbeten banesat, varëset prej argjendi dhe floriri që u hiqen grave nga qafa, çantat e qytetarëve (veçanërisht të femrave), ku vjedhësit mendojnë se mund të gjejnë lekë dhe bizhuteri, dyqanet dhe magazinat e qytetit, makinat dhe lojërat e fatit. Në morinë e vjedhjeve të realizuara gjatë këtij viti nuk kanë qenë të pakta as rastet e vjedhjes me thyerje, me dhunë, me armë dhe maska. Burime të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë bënë të ditur se ka pasur dy raste vjedhjesh me 6 autorë të implikuar, të cilat përfunduan me pasoja për jetën e viktimave. Fenomeni i vjedhjeve bëhet edhe më i mprehtë, po të kihet parasysh fakti se shumë prej vjedhësve janë adoleshentë.

Adoleshentët

Sipas burimeve pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë, vetëm gjatë 9 muajve të këtij viti numri i procedimeve penale ndaj adoleshentëve ka qenë 32. Por nëse do të llogariten edhe tre muajt e tjerë të këtij viti, numri i adoleshentëve vjedhës bëhet edhe më i madh se kaq, të paktën do të jenë 40 adoleshentë të evidentuar. Sigurisht statistikat flasin përqarkun e Korçës, por si gjithnjë numri më i madh i vjedhjeve kryhet në qytetin e Korçës. Shifrat japin një panoramë alarmante. Nga ajo çfarë është vërejtur deri më tani, rezulton se adoleshentët veprojnë në grupe, çka do të thotë se veprimtaria e tyre tenton të bëhet gjithnjë edhe më e rrezikshme. Nuk kanë munguar as rastet kur adoleshentët diktohen nga vjedhës të rritur dhe veç kësaj në vjedhjet e tyre ata nuk kanë nguruar të ushtrojnë dhunë. Të gjitha këto e bëjnë qytetin e Korçës një qytet të tronditur nga vjedhjet dhe vjedhësit, të cilët të shtuar në numër i gjen të pranishëm në çdo cep.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›