Rama uron boksierin Nelson Hysa: I pari shqiptar që ndeshet për titullin e kampionit të botës

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Boksieri shqiptar Nelson Hysa vazhdon të shkruajë historinë e boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Nelson Hysa siguroi të shtunën fitoren e 25-të në karrierë, 23 nga të cilat me knockout (KO). Boksieri shkodran i peshave të rënda ka mbrojtur titullin WBO ndërsa hodhi në tapet me KO pas dy raundeve rivalin nga Norvegjia, Thomas Narmo.
Nelson Hysa vijon të mbetet i pamposhtur, pasi mposhti norvegjezin Thomas Narmo në një përballje mes dy peshave të rënda të pamposhtura.
41-vjeçari shqiptar e mbylli duelin në mënyrë spektakolare në raundin e dytë, në eventin e zhvilluar në O2 Arena të Londrës, në kuadër të ndeshjeve paraprake të mbrëmjes Moses Itauma – Filip Hrgović.
Hysa gjeti momentin e duhur me një goditje të fuqishme me të djathtën, e cila e rrëzoi Narmon në tapet. Norvegjezi u ngrit, por këmbët e tij ishin të paqëndrueshme dhe arbitri vendosi të ndërpresë menjëherë duelin.
Kryeministri Edi Rama uroi sot boksierin Nelson Hysa, i pari shqiptar në botë që ndeshet për titullin e kampionit të botës.
“Urime kampion! Nelson Hysa, i saposhpallur kampion global dhe i pari shqiptar në botë që ndeshet për titullin e kampionit të botës”, u shpreh Rama.
Edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përshëndeti fitoren e Hysës, duke vënë në dukje rekordin e tij të pastër.
Sipas ministrit, sfida u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme, ku mijëra shqiptarë të pranishëm në arenë e kthyen atë në një tribunë kuqezi.
“Një fitore e madhe, në një atmosferë magjike, përpara mijëra shqiptarëve që e kthyen O2 Arena-n në një tribunë ku valëvitej flamuri kuqezi. Kjo ishte ndeshja 25 e Nelsonit ku nga 25 ndeshje i ka te gjitha te fituara pa asnje humbje”, shkruan ndër të tjera Gonxhja.
Një tjetër fitore bindëse për boksierin shqiptar, që vazhdon rrugëtimin e tij në kategorinë WBO Global e peshave të rënda
Nelson Hysa fiton me KO 1 nga 3/m.m/r.e/m.q/