Rama viziton Kosovën: Këtu demokracia funksionon më mirë se në Shqipëri (VIDEO)
Kryeministri i mandatuar, Edi Rama ka nisur vizitën e tij në Kosovë, duke paralajmëruar me një mesazh në Twitter emocionet e veçanta.
Për Kosovë. Me një emocion të posaçëm për vizitën e parë si kryeministër, shkruan Rama.
Pas takimit me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, të dy dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Rama bëri një vlerësim të veçantë për shtetin kosovar.
Unë e shoh Kosovën sot si një shtet pesë vjeç, që ka çfarë ti mësojë shtetit 101 vjeç, që qeveria jonë përfaqëson, si një shoqëri që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në shtetndërtim dhe si një hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo dite, tha Rama.
Ai theksoi se në për shqiptarët është momenti më i mirë i jetës së tyre në rajon.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Thaçi, ka kërkuar bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha sferat, duke mësuar nga përvojat e mira të të dyja shteteve.
Ne do të punojmë maksimalisht në frymën evropiane, për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon, tha Thaçi.
Ndërsa kryeministri Rama u shpreh se në muajin nëntor do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.
Sipas tij do të hapet kapitulli i ri i bashkëpunimit me Kosovën, duke nënvizuar se tashmë është hapur një epokë e re për rajonin, falë edhe marrëveshjes mes Beogradit e Kosovës.
Paqja duhet të sjellë zhvillim ekonomik e social për të gjithë. Ne kemi rënë dakord që në nëntor të bëjmë mbledhjen e parë të përbashkët të të dy qeverive dhe të fillojmë bashkëqeverisjen strategjike mes Shqipërisë e Kosovës, tha Rama./ep
