E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama zaptues, do të sjellë konflikte kombëtare

26-08-2013 / Gazeta 55

Rama synon ta shndërrojë postin e kryeministrit në një sekt okult ku hartohen plane të errëta për Shqipërinë. Traditën e takimeve të mbyllura e ka vazhduar me disa arkitektë të huaj, por të njohur për pazaret e Ramës në Bashki, me të cilët planifikon t’i stampojë bregdetit shqiptar, për hir të orekseve të tij zaptuese, damkën e konflikteve kombëtare. Sloganit “Shqipëria e Gjeneratës së Re” do t’i dalë boja ashtu siç i ka dalë Piktorit për t’u transformuar në “Shqipëria e Degjenerimit të Ri”


Revanshi i zaptimit të pronave të shqiptarëve me firmën e Edi Ramës rrezikon stabilitetin e vendit dhe kthimin e një konflikti kombëtarë me përmasa të paimagjinueshme. Kryeministri i ardhshëm është angazhuar fuqimisht bashkë me lobin e tij të klientelistëve të oborrit të PS, për të rrafshuar Shqipërinë, çdo banesë në bregdet dhe jo vetëm, ku cenohen interesat e babëzisë së betonit. Sot zhvillon punimet një konferencë e quajtur “Shqipëria e gjeneratës së re” në prani të arkitektëve dhe urbanistëve nga disa vende të ndryshme të botës. Nuk është thjesht një konferencë me funksion trajtues dhe rregullues. Është një konferencë ku para zhvillimit të së cilës, është ndarë torta e bregdetit. Nxitimi për të rreshtuar në një tryezë të ashtuquajturit arkitektë dhe urbanistë pa patur ende në dorë mekanizmat e pushtetit për të bërë atë “plan rregullues” që maskon Rama, tregon se çështjet janë të thella dhe të tjerë plane ogurzinj fshihen në dosjet e urbanistëve, arkitektëve, Edi Ramës &Co. Tashmë i është vënë syri rivierës. Rama & Co. s’duan t’ia dinë dhe as që shqetësohen për pronën private të shqiptarëve, ata kanë vetëm një qëllim; zaptimin e privates për interesat e tyre. E gjithë hapësira bregdetare do i nënshtrohet një aksioni të egër shkatërrimi dhe mbi rrënojat e shtëpive të banorëve atje, do ngrihen komplekse turistike, resorte luksoze dhe fshatra turistikë e në pronësi të Edi Ramës, Koço Kokëdhimës dhe biznesmenëve të PS. Flasim për një mafie të rrezikshme uzurpimi, të pamëshirshme dhe njëherazi vrastare kur bëhet fjalë për prona, biznese dhe financa. Tre komponentë këta që do keqpërdoren nga Edi Rama me mekanizmat e pushtetit në dorë, duke rriskuar kështu cenimin e stabilitetit të vendit dhe kthimin e një konflikti të përmasave kombëtare. Ndoshta kjo i intereson politikës shkatërruese të Ramës, pasi mbi rrafshimin dhe destabilizimin, mbi rrënojat e nekropolitikës, ai do tentojë të ngrejë perandorinë e tij financiare. Shqiptarët janë në rrezik, prona e shqiptarëve është në rrezik, shtëpitë e shqiptarëve janë në rrezik. Parodia e Vlorës, gjoja mbledhja e një biçim qeverie atje, në këtë përfundim arriti; “tu marrim shtëpitë dhe pronat shqiptarëve dhe të zhvillojmë bizneset tona!”. S’bëhet fjalë për shembjen e ndërtimeve pa leje, pasi kjo është detyrim ligjor, por edhe të atyre me leje, me justifikimin e prekjes nga plani rregullues i bregdetit i cili prezantohet sot në konferencën “Shqipëria e gjeneratës së re”, në një kohë kur ai plan mban emrin e Koço Kokëdhimës. Vota e 23 qershorit i ka dhënë Edi Ramës atributin për të qenë kryeministër i vendit pas shtatorit. Kësisoj, ai u votua për të qenë kryeministër, por jo për të dalë mbi ligjin, gjykatat dhe kushtetutën. Mendësia e tij, njësoj si ajo e etërve, është të hyjë në bllokun e diktaturës pas revanshit mbarëpopullor dhe pasi të ketë prodhuar një konflikt kombëtar. Për këtë të fundit po punon bashkë me establishmentin e tij të klientelistëve të PS. Edi Rama është një rrezik real për shqiptarët, një rrezik real edhe për pronat e ligjshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›