Rama:Gati për dialog, mirëpresim ndërkombëtarët
Partia Socialiste nuk heq dorë nga protestat por thekson se mbetet e hapur për të dialoguar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Në një konferencë për shtyp kreu i selisë rozë theksoi se opozita mirëpret ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike në vend pasi sipas tij dialogu dhe kompromisi janë pjesë e patjetërsueshme e vizionit tonë.
“Jemi gati të dialogojmë dhe të ofrojmë kompromis në të mirë të shqiptarëve dhe çdo mik e partner që ka sot vullnetin për vendosjen e dialogut politik në Shqipëri gëzon respekt dhe mirëpritjen tonë” theksoi Rama.
Ai gjithashtu theksoi se opozita do të vazhdojë përmbushjen e misionit të saj opozitar në një protestë paqësore në Tiranë, Lezhë, Vlorë dhe Korçë.
“Ne do të vazhdojmë të përmbushim misionin opozitar dhe protestat paqësore do të vijojnë në Tiranë, Lezhë, Vlorë dhe Korçë për të kërkuar dorëzimin e gardistëve, drejtësi dhe një zgjidhje të re politike që i jep të drejtën popullit të zgjedhë” theksoi Rama.