Rama:Nga vendimi i Kolegjit varet integrimi i vendit
Kryetari i PS-së Edi Rama ka deklaruar se integrimi i vendit në Bashkimin Europian do të varet nga vlerësimi që do t`u bëhet zgjedhjeve lokale të 8 majit. Në një konferencë për shtyp Rama duke iu referuar raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë theksoi se ndërkombëtarët janë të shqetësuar për situatën paszgjedhore në vend dhe konkretisht për rezultatin e Tiranës.
Sipas tij nga vendimi i Kolegjit zgjedhor do të pritet edhe drejtimi që do të marrë vendi nëse do të jetë i duhuri apo do të thellojë më tej humnerën që po e largon vendin nga Bashkimi Europian.
“KE-ja nënvizoi atë që ne kemi thënë për ditë me radhë pra kuadri i prioriteteve kuçe që lidhen me integrimin do të përcaktohet nga elementët që do të përmbahen në vlerësimin për zgjedhjet dhe në këtë rast thuhet se shqetësimi për votat e hedhura në kutitë e ashtëquajtuara të gabuara është kyçi në fund” theksoi Rama.
Më tej Rama theksoi se deklarata e Komisionit Europian është një këmbanë alarmi që lidhet me shqetësimin e madh që gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur ndërsa shtoi se vendimi i Kolegjit do të tregojë edhe për të ardhmen e vendit.
“Vendimmarrja e ardhshme e Kolegjit Zgjedhor është një vendimmarje që ka në vetëvete edhe pyetjen se në ç’rrugë do të shkojë ky vend paskëtaj” theksoi më tej Rama.
Duke iu referuar vendimit të shkuar të Kolegjit, Rama tha se ky vendim ka thelluar një hendek mes së vërtetës dhe së drejtës, dhe nga ana tjetër një padrejtësie, dhe shpërdorimi të detyrës e cila është legalizuar me vendim gjykate.