E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:PS të bashkëpunojë për integrimin, të votojë ligjet

Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga praktika e bojkotit por të bashkëpunojë në interes të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit për integrimin, kryeministri Berisha theksoi se opozita duhet të përmbush detyrimet e saj duke marrë pjesë në Parlament dhe të duke votuar ligjet për të bërë të mundur edhe plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian.

“Uroj që opozita ti përgjigjet detyrimit dhe të heqë dorë nga praktika se është më mirë të bllokojë sesa të votojë. Kjo praktikë në mënyrë absolute është tejet ditëshkurtër dhe thellësisht joproduktive për të gjithë ata të cilët e ushtrojnë” theksoi Berisha.

Më tej kryeministri Berisha duke iu referuar vendimit të Kolegjit zgjedhor për Tiranën theksoi se vendimi i tij ishte në nderim të Kushtetutës dhe parimit universal të numerimit të çdo vote.
“Parimi i numërimit të çdo vote është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor dhe ky parim gjeti sanksionimin e plotë në vendimin e Kolegjit zgjedhor që votoi 5 me 0. Gjykatësit shqiptarë njëlloj si ata amerikanë në nderim të kushtetusës së tyre deklaruan se nuk mund të përjashtohet numërimi i asnjë vote të vetme” theksoi Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se mazhoranca mes alternativë politike dhe asaj të shtetit ligjor zgjodhi këtë të fundit pasi sipas tij zgjedhjet janë në funksion të shtetit ligjor.

“Midis zgjidhjes politike, dhe shtetit ligjor, ne zgjodhëm atë të shtëtit ligjor. Zgjedhjet më shumë se çdo gjë tjetër janë funksionim i shtetit ligjor”- theksoi Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha i ka vlerësuar zgjedhjet e 8 majit si transparente, kompetitive dhe si zgjedhje që nderuan garën. Sipas Berishës, ky proces zgjedhor ka patur kundërshtitë më të pakta në të gjithë historinë e vendit ndërsa theksoi se për Tiranën rezultati ishte i ngushtë dhe kjo gjë ishte edhe testi për funksionimin e shtetit ligjor.

Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu sjelljen e qytetarëve shqiptarë pas liberalizimit të vizave, duke e quajtur këtë një zhvillim pozitiv, dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve ndaj një vendimi iluminist, që qytetarët e vendeve tona të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

“ Është e domosdoshme që këtë provë, këtë sukses të bëjmë gjithçka që ta konsolidojmë më tej”- tha Berisha ndërsa theksoi se do të vijohet edhe më tej me reklamat informuese për procesin e liberalizimit të vizave.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›