Ramadani: Luftëtari, i suksesshëm edhe në Lushnjë
Shkodrani Behar Ramadani thekson se rezultatet e deritanishme dhe loja cilësore e bëjnë ekipin e tij më të frikshmin në kategorinë e parë
Në 20 ndeshjet që ka zhvilluar deri tani, Luftëtari ka grumbulluar 50 pikë, nga 60 të mundshmet, ndaj dhe është me të drejtë krenar dhe i sigurt për ankorimin në superligë sezonin e ardhshëm. Rezultate të tilla ky ekip nuk i ka njohur më parë në asnjërën prej dy kategorive më të larta në historinë e tij 82-vjeçare. Matematikisht gjirokastritët nuk e kanë siguruar ende superioren, sepse janë edhe 10 ndeshje, 5 në transfertë dhe po aq në Gjirokastër.
Ndeshja e radhës është në transfertë me Lushnjën, që në fazën e parë ka humbur në Gjirokastër, ndërkohë që humbi edhe javën e fundit në Lezhë. Edhe ajo pretendon superligën dhe kuptohet që humbja e pikëve në këtë ndeshje ia vështirëson më shumë realizimin e objektivit. Luftëtarit, më shumë për imazh, i duhet të mos humbasë.
Dhe, me sa kanë treguar ndeshjet në Kavajë dhe në Elbasan, kur ky ekip mobilizohet me gjithë seriozitetin, ia arrin qëllimit. Kështu, modelet për finale të tilla i ka, ndaj dhe nuk përbën surprizë rezultati pozitiv që mund të marrë në stadiumin e Lushnjës, Roza Haxhiu.
Ramadani Shkodrani Behar Ramadani, 21-vjeçari që më 6 prill feston ditëlindjen, për sfidën e radhës shprehet: Ndeshjen me Elbasanin e vlerësuam ashtu si duhej për vetë traditat e këtij ekipi në futbollin tonë kombëtar. Zhvilluam një ndeshje ndër më të mirat dhe me agresivitet sportiv, edhe pse patëm shumë mungesa.
Arritëm një fitore të merituar dhe bindëse, duke treguar se kush është ekipi më i fortë dhe më rezultativ në kategorinë e parë. Këtë të shtunë do të ndeshemi me Lushnjën në fushën e saj. Nuk e mbivlerësojmë dhe e konsiderojmë një përballje të radhës. Kthimi i atyre lojtarëve që munguan në Elbasan për arsye kartonësh na bën më të fortë, prandaj besoj se edhe në këtë ndeshje do të kemi një rezultat të kënaqshëm, pse jo dhe triumfues.
Luftëtari i këtij sezoni është vërtet një ekip i frikshëm, sikundër e tregojnë rezultatet dhe loja e tij mjaft cilësore, argëtuese dhe mbi të gjitha produktive, me rendiment ndër më të mirët. Mendësia e rrënjosur në ekipin tonë tashmë është vetëm ajo e fituesit dhe kjo do të vazhdojë deri në mbyllje të këtij sezoni, kur ekipi ynë do të shpallet kampion i kategorisë së parë dhe sezonin tjetër do të luaj në superiore.
